Izraeli dhe populli kurd një lidhje e ndërthurur në luftën për vetëvendosje
Izraeli ka një histori të gjatë të mbijetesës dhe luftës për vetëvendosje, një histori që e bën të kuptojë dhembjen dhe shpresat e popullit kurd. Kurdët, një nga popujt më të vuajtur në botë, me mbi 30 milionë individë të shpërndarë padrejtësisht në pesë shtete të ndryshme, kanë të drejtën hyjnore dhe çdo të drejtë tjetër për të pasur shtetin e tyre. Për dekada me radhë, kurdët kanë luftuar për një atdhe të pavarur, duke përballuar shtypje dhe diskriminim të vazhdueshëm.
Asnjë popull nuk e kupton më mirë të drejtën për vetëvendosje dhe domosdoshmërinë për një shtet të sigurt sesa hebrenjtë dhe Izraeli. Pas shekujsh të përndjekjes dhe një Holokausti shkatërrues, hebrenjtë arritën të krijojnë një shtet të tyre, Izraelin, si një vend të sigurt për popullin e tyre. Ky precedent historik është një frymëzim dhe një model për kurdët dhe për çdo popull që kërkon lirinë dhe të drejtat e tyre themelore.
Në kohën kur rrethanat historike duket se po ndryshojnë dhe një fije shpresë po shfaqet në horizont për popullin kurd, është momenti që Izraeli dhe komuniteti ndërkombëtar të përkrahin aspiratat e kurdëve për vetëvendosje. Përkrahja e Izraelit mund të jetë vendimtare, jo vetëm për shkak të lidhjes historike dhe përvojës së ngjashme, por edhe për rolin e tij strategjik dhe ndikimin në politikën globale.
Krijimi i një shteti kurd do të ishte një akt drejtësie historike dhe një hap drejt stabilitetit dhe paqes në rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme. Izraeli, duke përkrahur kurdët në këtë rrugë, do të afirmojë edhe një herë angazhimin e tij për të drejtat e njeriut dhe vetëvendosjen e popujve, duke mbështetur një kauzë që është thelbësore për identitetin dhe ekzistencën e tij.
Lidhja mes Izraelit dhe popullit kurd është më shumë se një marrëdhënie strategjike; është një lidhje e ndërthurur në një histori të përbashkët të luftës për liri dhe të drejta. Ndihma e Izraelit për popullin kurd në këtë moment historik mund të jetë një akt vendimtar që do të ndryshojë rrjedhën e historisë për kurdët, duke i sjellë më pranë realizimit të ëndrrës së tyre për një shtet të pavarur dhe të sigurt./ Kosova.info
