Profesori boshnjak: Të rritet presioni ndaj Republika Srpskas, Bosnja duhet të heqë vizat për Kosovën

Kryetari i Këshillit të Kongresit të Intelektualëve Boshnjakë të Kosovës, profesori Mejdin Saliji, e vlerëson të drejtë vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e njëanshme të vizave për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës nga 1 janari 2025, duke u lejuar hyrjen dhe lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftim. Ai shpreh shpresën se Bosnja dhe Hercegovina do të ndjekë shembullin e Kosovës në këtë drejtim.

Saliji thekson se kjo çështje ka qenë një temë e gjatë debati dhe se qëllimi i Kosovës nuk ka qenë kurrë pengimi i lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

“Kosova ka treguar vullnet politik për zbatimin e reciprocitetit, duke ratifikuar menjëherë marrëveshjet brenda Procesit të Berlinit që parashikojnë udhëtimin pa viza. Mirëpo, Bosnja dhe Hercegovina nuk e ka ratifikuar ende këtë marrëveshje për Kosovën,” thekson Saliji.

Ai nënvizon se tani është në duart e BeH-së të zbatojë reciprocitetin për qytetarët e Kosovës dhe të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas tij, është e nevojshme që presioni ndaj BeH-së të intensifikohet nga Delegacioni i BE-së në Kosovë dhe ambasadat e vendeve të Kuintit, duke e kushtëzuar përparimin e saj drejt integrimeve euroatlantike.

Saliji gjithashtu thekson se është absurde që Serbia tashmë lejon qytetarët e Kosovës të udhëtojnë me letërnjoftim, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina ende nuk ka bërë të njëjtën gjë.

Go to TOP