Cena triumfon në garat evropiane: Medalja e Artë në Brazilian Ju-Jitsu, lobim për Kosovën në arenën ndërkombëtare

Anton Cena, xhudist dhe pjesëtar i Policisë së Kosovës, ka arritur një tjetër sukses në Garat Evropiane të Policisë, të Zjarrfikësve, të Korrektuesve dhe të Doganierëve, duke fituar medaljen e artë në Brazilian Ju-Jitsu në kategorinë -69 kg. Në ditën e tretë të garave, Cena dëshmoi se përgatitja fizike dhe mendore e tejkalon moshën, duke mbajtur qëndrimin se suksesin e arrijnë ata që këmbëngulin për të.

“Edhe këtë vit u bëra i pari. Vitet janë vetëm numra kur je i përgatitur fizikisht dhe mendërisht. Këto dy medalje do të jenë një shtytje për medaljen e tretë në disiplinën e ardhshme: not në ujëra të hapura në distancën 2000 m,” tha Cena.

Përveç suksesit sportiv, Cena e sheh këtë pjesëmarrje si një mundësi për lobim në arenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar Kosovën përballë vendeve që ende nuk e kanë njohur zyrtarisht.

Ai vuri në dukje një episod ku ndau me garuesit spanjollë një informacion të rëndësishëm historik: dy qytetarë të Pejës, Asim Vokshi dhe Xhemajl Kada, që dhanë jetën në Luftën Civile Spanjolle, një fakt që ndoshta Ministria e Jashtme duhej ta përçonte.

“Spanja nuk e njeh ende Kosovën, megjithëse kosovarët luftuan për lirinë e saj. Komuniteti katalonas më tha: ‘Mirë do të ishte që të ishit Ambasador në Spanjë’,” shtoi ai.

Me një frymë të fortë motivimi, Cena përfundoi mesazhin e tij me thënien: “Kurrë mos u dorëzo!” /Kosova.info/

Go to TOP