Nagavci: Inflacioni ndikoi që kërkesa për produkte organike të zvogëlohet
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës “Organika”, Faton Nagavci, theksoi se brenda dhe jashtë Kosovës, në fushën e bujqësisë, sfidë e madhe është lufta në Ukrainë. Sipas tij, inflacioni ka ndikuar që kërkesa për produkte organike të zvogëlohet.
Nagavci në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se shoqata “Organika” i përfaqëson bizneset të cilat merren me produkte pyjore, kërpudha, boronica, bimë mjekësore aromatike sikur menta, kamomili etj.
“Të gjitha këto produkte janë të certifikuara organike për shkak se e kanë cakun e eksportit dhe janë të përfshira në bujqësinë organike dhe prej 2013-s shoqata e ka emrin ‘Organika’”, theksoi Nagavci.
Ai foli edhe për konferencën e sotme, e cila temë, ndër të tjera, ka edhe ndryshimet dhe ndikimet klimatike në bujqësinë organike.
“Konferenca e dytë ndërkombëtare ka të bëjë me sfidat e këtij sektori. Pasi po hetojmë çdo ditë që ndryshimet klimatike që po ndodhin dhe po e ndryshojnë bujqësinë në krejt rruzullin tokësor, ne si temë kryesore kemi sfidat tokësore, duke përfshirë ndryshimet dhe ndikimet klimatike në bujqësinë organike”, tha ai.
Në këtë konferencë në agjendë janë edhe dy përfaqësuese të institutit zviceran “Fibel”, i cili, sipas tij, instituti më i njohur në botë për sa i përket bujqësisë organike.
“Ata do ta bëjnë një prezantim rreth tregut të bujqësisë organike në Evropë, por edhe sa eksporton Kosova në shtetet e Bashkimit Evropian dhe cilët janë konkurrentët kryesorë të Kosovës, pastaj cilët janë blerësit kryesorë”, shtoi ai.
Prezantime do të ketë edhe nga Shqipëria, Mali i zi, Maqedonia e Veriut.
