Së paku 16 të plagosur nga sulmet ruse në ndërtesat e banimit në Zaporizhja

Rusia kreu sulme ajrore në qytetin Zaporizhja të Ukrainës, duke i dëmtuar disa blloqe të ndërtesave të larta të banimit dhe duke i plagosur 16 civilë si pasojë, thanë zyrtarët ukrainas të hënën.

Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se ekipet e shpëtimit i kanë evakuuar banorët nga disa ndërtesa të dëmtuara.

Edhe një ditë më parë zyrtarët ukrainas raportuan për një sulm të ngjashëm rus në ndërtesat e larta të banimit në qytetin Harkiv, ku u plagosën 21 njerëz.

Rusia e mohon se kryen sulme ndaj civilëve, por mijëra ukrainas kanë vdekur si rrjedhojë e sulmeve të tilla prej se presidenti Vladimir Putin e nisi pushtimin e plotë, të paprovokuar, të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Derisa ushtria ruse e kreu këtë sulm, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ndodhej në Shtetet e Bashkuara, ku do të marrë pjesë në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë javë dhe do të takohet me liderët botërorë, përfshirë me presidentin amerikan, Joe Biden.

Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se të dhënat fillestare tregojnë se Rusia përdori bomba të telekomanduara KAB në sulmin në Zaporizhja.

KAB-at janë bomba të riparuara sovjetike që ushtria ruse i ka përdorur në lindje të Ukrainës. Ato u përdorën edhe në sulmin e fundit në Harkiv, sipas zyrtarëve ukrainas.

Guvernatori i Zaporizhjas, Ivan Fedorov, tha se disa ndërtesa banimi janë dëmtuar si pasojë e sulmeve të natës në këtë qytet.

Ai tha se janë vendosur shatorre për t’i ndihmuar banorët e ndërtesave të dëmtuara.

Fedorov theksoi se në përgjithësi, Rusia i ka kryer 363 sulme ajrore dhe tokësore në ditën e fundit në 12 vendbanime në rajonin kufitar të Zaporizhjas.

Ndërkohë, Zelensky e vizitoi të dielën fabrikën e armëve në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara, në të cilën prodhohen municione vendimtare për përpjekjet e vendit të tij për ta zmbrapsur pushtuesin.

Presidenti ukrainas po shpreson se në ShBA do të marrë leje për përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi për të kryer sulme thellë brenda Rusisë ndaj fushave ajrore dhe depove të armëve që janë thelbësore për luftën e Moskës.

“Këtë vjeshtë ne do ta vendosim të ardhmen e kësaj lufte”, shkroi Zelensky në X.

Go to TOP