Raportohet se Dejona Mihali ka shkuar në Prokurorinë Speciale, do të intervistohet për dy raste të korrupsionit

Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, është paraqitur në Prokurorinë Speciale.

Gazeta Nacionale ka siguruar pamjet, derisa Mihali është futur në prokurori për t`u intervistuar.

Nga burimet e saj, gazeta merr vesh se ajo do të intervistohet në cilësinë dëshmitares për dy raste të veprave të korrupsionit të nivelit të lartë.

Behët fjalë për rastet ku janë përfshirë zyrtarët e lartë të partisë në pushtet.

Mihali do të intervistohet nga prokuroria për rastin e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi dhe kryeshefin e ndërmarrjes Ibër Lepenc, Faruk Mujka.

Gazeta ka mësuar se Mihali ka dijeni për tenderët që Nagip Krasniqi ka dhënë në KEK, e të cilët është duke i hetuar, prokuroria.

Të dy personat në fjalë vitin e kaluar janë arrestuar dhe kanë qëndruar në paraburgim si të dyshuar për korrupsion.

Të dy rastet janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i autoritetit apo pozitës zyrtare”.

Dyshimet kanë të bëjnë me kontratat për renovimin e kaldajave së bllokut A5.

Kodi Penal i Kosovës këtë vepër e sanksionon me dënim prej 1 deri në 8 vjet burgim.

Prokuroria kishte treguar se për çka dyshohet Fatmir Mujka.

“Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”, ishte thënë në njoftimin e prokurorisë.

Kush është Dejona Milahi?

Gazeta Nacionale ka raportuar vazhdimisht për ndikimin e madh Dejona Mihalit.

Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje nuk është thjesht një zyrtare e VV-së. Ajo duket se e kontrollon të gjithë partinë në pushtet.

Për një gjë të tillë kishin treguar edhe ish-deputetët e VV-së.

Deputeti Haki Abazi kishte thënë se Dejona Mihali ushtron kontroll të madh mbi grupin parlamentar të Vetëvendosjes.

Është thënë se ajo ua shkruan edhe fjalimet deputetëve të VV-së.

Gjithashtu, është raportuar se është e përfshirë në mënyrë direkte në eliminimet politike brenda partisë në pushtet.

Ajo publikisht është paraqitur shumë rrallë, por ka qenë mjaft aktive në Facebook me statuset e saj.

Në qëndrimet e saj, ajo ka kritikuara ashpër opozitën, mediat dhe sindikatat e pavarur.

Go to TOP