Kurmasheva nderohet me Çmimin Ndërkombëtar të Lirisë së Shtypit

Alsu Kurmasheva, gazetarja e Radios Evropa e Lirë që u lirua nga burgu në gusht gjatë një këmbimi të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit, është në mesin e katër gazetareve që do të nderohen me Çmimin prestigjioz Ndërkombëtar të Lirisë së Shtypit për vitin 2024, njoftoi Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).

“Çmimi Ndërkombëtar për Liri të Shtypit simbolizon punën vitale të kryer nga gazetarët kudo për të raportuar për fakte, në dritë të përpjekjeve të ashpra për të shtypur të vërtetën”, tha drejtoresha e CPJ-së, Jodie Ginsberg, përmes një deklarate.

“Në atë që ka qenë vit shkatërrues për gazetarët dhe lirinë e shtypit, është nderë të qëndrojmë me ta”, tha Ginsberg.

Kurmasheva, 47-vjeçe, do ta pranojë këtë çmim në nëntor, së bashku me tri gazetare të tjera: gazetaren palestineze, Shrouq al-Aila, gazetaren nga Guatemala, Quimy de Leon dhe Samira Sabou nga Nigeri, tha CPJ-ja.

Kurmasheva, me shtetësi ruse dhe amerikane, ishte ndaluar qershorin e vitit 2023, teksa po priste të kthehej në Pragë nga Kazani. Autoritetet ia konfiskuan të dy pasaportat dhe telefonin. Ajo u lirua nga ndalimi, por iu ndalua largimi nga shteti.

Pas pesë muajsh pritje për një vendim për rastin e saj, Kurmasheva u gjobit me 109 dollarë për dështim që të regjistronte tek autoritetet ruse pasaportën e saj amerikane.

Në pamundësi që të largohej nga Rusia, në tetor Kurmasheva u arrestua, u dërgua në burg dhe u akuzua se nuk ishte deklaruar si “agjente e huaj”.

Dy muaj më vonë, ndaj saj u ngrit akuza për shpërndarje të lajmeve të rreme për ushtrinë ruse.

Në korrik, një gjykatë në Kazan, e dënoi Kurmashevan me gjashtë vjet e gjysmë burgim.

Më 1 gusht, ajo u lirua gjatë këmbimit të të burgosurve, së bashku me shtetasit amerikanë, Evan Gershkovich dhe Paul Whelan.

Go to TOP