Dokumenti mbi Planin e Rritjes që BeH i dorëzoi Brukselit, nuk i plotëson kriteret për të qenë i pranueshëm për KE

Dokumenti mbi Planin e Rritjes që Bosnja dhe Hercegovina i dorëzoi Brukselit nuk i plotëson kriteret për të qenë i pranueshëm për Komisionin Evropian

Bosnja dhe Hercegovina ka dërguar një dokument jo të plotë që nuk pasqyron të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian.

Bosnja dhe Hercegovina humbi afatin për dërgimin e agjendës së reformës në kohën e duhur, e cila është e nevojshme për marrjen e burimeve financiare nga Plani i Rritjes për rajonin.

Të martën, më 17 shtator, Bosnja dhe Hercegovina i dërgoi Komisionit Evropian një dokument, i cili nuk përfaqëson një agjendë reformash.

Sipas kryetares së Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto, ky dokument dëshmon përputhshmërinë e reformave të nevojshme për të marrë ndihmë nga Plani Evropian i Rritjes.

Për të marrë burime financiare dhe Planin e Rritjes, çdo vend nga Ballkani Perëndimor ishte i detyruar të paraqiste një agjendë reformash.

Bëhet fjalë për reforma që ndër të tjera kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, demokracinë, reformat institucionale dhe parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, si dhe marrjen e hapave të nevojshëm për të siguruar që fondet të mos keqpërdoren.

Pikërisht mungesa e një agjende reformuese nga Bosnja dhe Hercegovina ishte arsyeja pse u shty mbledhja e Komitetit të Instrumenteve të Para-Aderimit, ku do të analizoheshin dhe vlerësoheshin axhendat e reformave të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Takimi i parë ishte planifikuar për 17 shtator, por për shkak të reagimit të vonuar nga Sarajeva, sipas RSE, takimi u shty për në tetor.

Pa miratimin e agjendës së reformës nuk mund të fillojnë pagesat e para për asnjë vend të rajonit.

Gjegjësisht, është e nevojshme që shtetet anëtare të BE-së si dhe Komiteti për Asistencë të Para-Aderimit (IPA) të japin një opinion pozitiv për agjendat e reformave në mënyrë që Komisioni Evropian të mund të kalojë më pas në miratimin e këtyre agjendave dhe përfundimin e marrëveshjet për përfitime dhe kredi me secilin nga vendet përfituese. Vetëm pas këtyre hapave mund të vijojnë pagesat e para.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero tha më 18 shtator se nuk mund të jepte një datë specifike se kur do të fillonin pagesat e para, megjithëse ky institucion do të dëshironte që kjo të ndodhte sa më shpejt.

Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor është paketa financiare më ambicioze e Bashkimit Evropian me vlerë gjashtë miliardë euro, e cila synon të dyfishojë rritjen ekonomike në këto vende në dhjetë vitet e ardhshme.

Plani mbulon periudhën nga 2024 deri në 2027. Nga shuma e përgjithshme, dy miliardë euro do të sigurohen përmes granteve, ndërsa pjesa tjetër katër miliardë euro në formë kredie me kamata të favorshme.

Go to TOP