AGK sfidon Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media në Gjykatën Kushtetuese: Një rast historik për lirinë e shtypit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dërgoi të martën në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, që u miratua muajin e kaluar mes kundërshtimeve të ashpra të shoqatave të gazetarëve, opozitës dhe Bashkimit Evropian.
Dërgimi i komenteve pasoi dërgimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese nga dy parti opozitare gjatë muajit korrik.
“Ne besojmë se edhe komentet tona por edhe të palëve të tjera që kanë dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese do ta bindin, shpresojmë, gjykatën se ligji është anti-kushtetuese dhe do të shfuqizohet në tërësi, pasi vet inicimi i tij, mënyra se si është hartuar, mënyra se çka përmban janë në kundërshtim me frymën e kushtetutës dhe në kundërshtim me lirinë universale të medias. Është shpresa jonë pra se do të ketë reflektim të Gjykatës Kushtetuese në këtë rast dhe se ligji nuk do të hyjë në fuqi”, tha kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha.
Asociacioni i gazetarëve shpreson që gjykata ta rrëzojë ligjin dhe të mundësohet hartimi i një ligji të ri, që do të trajtonte shqetësimet e tyre, me ato që ato i quajnë, synime të qeverisë për të kontrolluar mediat në vend.
Por, përfaqësuesit e pushtetit thonë se ligji nuk cenon pavarësinë e mediave dhe është hartuar në frymën e udhëzimeve të Bashkimit Evropian.
Juristja e mediave Flutura Kusari tha se ligji bie ndesh me Kushtetutën në disa nene që kanë të bëjnë me rregullimin e funksionimit të komisionit, me parimin e barazisë gjinore, lirinë e medias dhe me pavarësinë e Komisionit të Pavarur për Media.
“Ne kemi argumentuar që disa prej neneve duhet të shfuqizohen mirëpo, po ashtu nëse këto nene shfuqizohen, ligji nuk mund të mbijetojë për shkak se bëhet i pazbatueshëm në praktikë prandaj shpresojmë që ligji do të shfuqizohet në tërësi. Përtej ndikimit që ky ligj ka në rregullimin e mediave dhe ky rast gjyqësor për neve është një ngjarje historike për shkak se është hera e parë që Gjykata Kushtetuese merret me një rast që ka të bëjë me lirinë e medias dhe aktgjykimi që do të merret tani do t’i paraprijë me dekada të tëra praktikave që Gjykata do të ndërtojë sa i përket lirisë së mediave”, tha zonja Kusari
Me 11 korrik deputetët e shumicës në parlamentin e Kosovës miratuan ligjin i cili mes tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre nga Komisioni i Pavarur i Mediave dhe dënime me gjoba të rënda për mediat që kryejnë shkelje ligjore.
Bashkimi Evropian që kishte bërë vlerësimin e projektligjit kishte kërkuar mes tjerash qartësimin e kërkesave për licencimin dhe regjistrimin e mediave në përputhje me standardet evropiane dhe qartësimin e sanksioneve dhe gjobave ndaj mediave.
Organizata të ndryshme ndërkombëtare të mediave kanë shprehur shqetësimin se ligji do të mundësojë kontrollin politik të organit rregullator dhe mund të ndikojë në pluralizmin e medias dhe pavarësinë e saj
Media online në Kosovë aktualisht vet rregullohet nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara duke u mbështetur në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.
Çfarë parasheh projektligji për KPM-në?
Projektligji i miratuar të enjten, më 11 korrik, parasheh licencimin dhe kontrollimin e mediave online që prodhojnë video prej KPM-së, më herët në këtë organ kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediat audio-vizuale.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Sipas këtij projektligji, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja.
Po ashtu, mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind.
Sipas tij, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor te KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.
Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video nën monitorimin e KPM-së, projektligji i ri parasheh edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre.
Anëtarët e KPM-së votohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), kjo rritje e stafit në KPM mund të keqpërdoret nga Qeveria “për t’i dërguar njerëzit e tyre”, të cilët do të mund të qëndronin më gjatë në pozitat e tyre, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, pavarësinë e KPM-së.
Projektligj për KPM-në u miratuaa nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe u dërgua në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë më 7 mars të këtij viti. Pas miratimit në lexim të dytë, duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) i patën bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar “sulm mbi mediat”.
Misioni i OSBE-së dhe i BE-së më herët kanë thënë se mbështesin qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e shërbimeve audio-vizuale, por, “siç thekson raporti i Këshillit të Evropës, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai mos të nënvlerësojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”. /Kosova.info/
