Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, raportohet të jetë plagosur

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico është plagosur në një incident me të shtëna pas një takimi të Qeverisë në afërsi të Bratislavës, raporton televizioni sllovak TA3.

Fico, 59, u godit në stomak pasi u shkrepën katër plumba pranë Shtëpisë së Kulturës së Qytetit, Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit, sipas TA3.

Nënkryetari i Parlamentit të Sllovakisë, Lubos Blaha, konfirmoi incidentin gjatë një seance parlamentare, të cilën e shtyu për datë të papërcaktuar, njoftoi agjencia sllovake e lajmeve, TASR.

Nuk dihet sa rëndë mund të jetë plagosur Fico. Ai u dërgua menjëherë në spital, raportoi TASR, duke e cituar Blahan.

Gazetarët, të cilët ishin në vendin e ngjarjes, thanë se u dëgjuan disa të shtëna me armë.

Ata shtuan se zyrtarët e sigurisë e futën një person në një veturë dhe u larguan me shpejtësi.

I arrestuari besohet se është i dyshuari që shtiu mbi kryeministrin, megjithëse kjo nuk është konfirmuar nga policia lokale.

Zyrtarët e sigurisë e fusin kryeministrin sllovak, Robert Fico, në një veturë pas një incidenti me armë, Handlova, Sllovaki, 15 maj 2024.
Zyrtarët e sigurisë e fusin kryeministrin sllovak, Robert Fico, në një veturë pas një incidenti me armë, Handlova, Sllovaki, 15 maj 2024.

Zyra e kryeministrit nuk e ka komentuar rastin ende.

Presidentja e Sllovakisë, Zuzana Caputova, e dënoi sulmin “brutal dhe ta pamëshirshëm” ndaj kryeministrit.

“Jam e tronditur”, tha Caputova.

“Robert Ficos i uroj shumë forcë në këtë kohë të vështirë, si dhe shpresoj se do ta marrë veten shumë shpejt nga ky sulm”, tha ajo.


Go to TOP