Intelektualët e UP-së i futen botës së TikTok-ut
Një “yll” i ri ju shtua Tik-Tok-ut.
Universiteti i Prishtinës, i cili pati ngritje të lehtë në rang-listat e universiteteve botërore gjatë vitit 2023, mori zemër t’i ndjekë ato edhe në promovimin e tij në këtë rrjet social.
Kjo mund të jetë parë nga ta edhe si mundësi e mirë për të “dhezur” në botën virtuale, e cila ndoshta do ta rrisë edhe fluksin e studentëve, pasi që numri i tyre së fundmi ka rënë.
Për dallim nga postimet që bëjnë universitet e huaja me nam botëror, ku më shumë shfaqen aktivitetet e studentëve dhe të profesorëve, ndryshe është te tik-toku i UP-së.
Kjo llogari që pretendohet të jetë zyrtare i universitetit më të vjetër publik në vend, më shumë duket si PR i rektorit të këtij universiteti, Qerim Qerimi.
Nga pesë videot e publikuara aty, në katër prej tyre promovohet ky i fundit.
Pavarësisht që tik-toku njihet për përmbajtje alla-tallava, UP-ja e ruan standardin duke i shoqëruar me muzikë klasike.
Por a do të jetë klasikja çelsi i suksesit të llogarisë më të re insitutcionale në tik-tok?
Tik-Toku nuk njihet teren për shkencën dhe akademinë, megjithatë koha do të vërtetoj nëse akademikët e UP-së, do ta ndryshojnë edhe rrjedhën dhe funksionimin e platformës kineze të komunikimit.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili njihet për elektoratin e madh që ka në rrjetet sociale, ndoshta do të jetë edhe hajmalia për suksesin e llogarisë së intelektualëve të UP-së.
Videoja e fundit e publikuar nga stafi i elektoratit, Kurti shfaqet krah Arbërie Nagavcit e babës së këtij tik-tokut, Qerim Qerimi.
Dita e parë e videos me kryeministri nuk qe karrem i mirë, pasi i mori vetëm 36 pëlqime.
