E vërteta gjithmonë jeton

Shkruan: Pal ShTUFI

Kjo është vetëm një video e vitin 1972 që paraqet jetën në Prizren. Pra, ishin vitet e para të ndryshimit të madh që bëri Tito në Jugosllavi.

Qartë dukët, Kosova ende vuante plagët shkatërruese të regjimit të Rankoviqit, por megjithatë, shpejt e mori veten dhe filloi garën e prosperitetit me republikat tjera në Jugosllavi. Ishte një start i fuqishëm në të gjitha fushat, sidomos në ekonomi, arsim, kulturë dhe sport.

Pas vitit 1974, Kosova edhe juridikisht fitoi statutin e NJËSISË FEDERALE të Jugosllavisë dhe me këtë filloi ngritja e shpejt e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Mirëqenia i bëri njerëzit të mendonin edhe për luksin e identitet kombëtar e politik.

Dhe kjo vërtet ndodhi. Mësuesit dhe profesorët e asaj kohe prodhonin, me sa fuqi që kishin, nxënës e studentë me integritet kombëtar…

Iluministët shqiptarë, shfrytëzonin çdo vrimë ligji e kushtetute për të drejtat maksimale të shqiptarëve. Për shembull, ndër shumë arritje tjera, më 1978, iluministët e asaj kohe, në krye me Dr. Pajazit Nushin, e zyrtarizuan kremtimin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Ngjarje kjo që as ëndërr nuk e kishim parë.

Deri në fund të vitit 1980, nuk ka pasur qytet në Kosovë që nuk i kishte mbi 30-40 fabrika ose ndërmarrje të mëdha shoqërore (nejse, Gjakova 58… ).

Kosova filloj të merrte frymë, e përmes asaj fryme nxorëm thirrjen “nuk jemi sllavë të jugut – jemi shqiptarë, me identitet, histori e traditë!” Dhe, do ti, Tito na pranojë si të tillë. Na pranojë edhe për ta zvogëluar fuqinë e Serbisë agresive. Por me vdekjen e Titos, vdiq projekti i vetëqeverisjes jugosllave, si projekti më avangardë në tërë botën komuniste, nga Kuba e deri në Kinë.

Kurrë nuk duhet harruar plejadën e iluministëve shqiptarë, nga 1966 e deri më 1980, edhe pse 90% nuk janë më të gjallë. Ata janë gur-themeli i vetëdijes kombëtare, i zgjimit tonë dhe prosperitetit ekonomik e kulturor. Nga shkollat dhe universitetet e tyre dolëm ne, gjenerata e Republikës. Falë tyre ne ditëm të bëjmë kërkesën sipërore për pavarësi.

Me pietet duhet t’i kujtojmë ata, të cilët ndërtuan bazën e gjerë (vetëdijen kombëtare) të kësaj Republike që kemi.

Nga Esat Mekuli e deri te profesorët që ende janë gjallë, duhet t’i kujtojmë e të përkulemi para punëve kolosale që kanë bërë. Nuk është pak, ngritën mirëqenien e vendit dhe na krijuan ne, gjeneratën e mosdorëzimit!

(edhe në dallime jemi bashkë dhe jemi një)

Go to TOP