Prishtina “kopjon” Evropën, heq “xhepat” e stacioneve të autobusëve
Autobusët nuk do të kenë më nevojë ta devijojnë pak rrugën për të hyrë në stacion. Kjo për shkakun se komuna ka vendosur t’i zhdukë xhepat parkues, të cilët ekzistojnë me dekada nëpër rrugë të kryeqytetit.
Eliminimi i stacioneve devijuese te pritoret, sipas përgjegjësve, po bëhet për ta rritur sigurinë e qytetarëve, raporton “Ju Flet Prishtina”.
Kjo praktikë, sipas Menaxherit të këtij projekti në Komunën e Prishtinë, Gent Sejdiu, ekziston tash e sa kohë në kryeqendrat e rajonit e edhe Evropës. Derisa tregon se janë bërë edhe teste, e ka rezultuar se nuk krijohen vonesa, sepse autobusi sipas këtij, maksimalisht ndalet 10 sekonda.
Megjithatë sipas ekspertit të komunikacionit, Nol Dedaj, për të evituar tollovinë, duhet që shiriti të destinohet veç për trafikun urban.
Komunarët pohojnë se pas implementimit të këtij projekti, do të nisë faza e krijimit të një shiriti për autobusë.
Qytetarët kanë mendime të ndryshme sa u përket këtyre intervenimeve infrastrukturore.
Ky projekt tashmë ka përfunduar në pritoren prapa objektit të Komunës. Njëjtë do të veprohet edhe me gjithë të tjerat, duke filluar nga qendra, zonë kjo që pritet të kryhet deri në fund të vitit.
Me tjerat do të vazhdohet deri në qershor 2024.
