Balla: Rritja e besimit të qytetarëve tek Policia, po jep rezultate
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka deklaruar sot rritja e besimit të qytetarëve tek Policia ka sjellë rezultate të kësaj të fundit në goditjen e paligjshmërisë.
Ai përmes një postimi në rrjetet sociale, duke iu referuar dhe operacionit policor të finalizuar sot në Vlorë, ku u sekuestruan disa armë e municione pa leje, tha se është rezultat edhe i besimit të shtuar të qytetarëve tek Policia e Shtetit.
“Rritja e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, po jep rezultate të shkëlqyera në drejtim të luftës sonë kundër armëmbajtjes pa leje, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe çdo forme paligjshmërie”, ka shkruar Balla.
Balla po ashtu ka thënë se falë besimit dhe bashkëpunimit me qytetarët, dje dhe sot, janë parandaluar ngjarje kriminale, janë sekuestruar 6 armë zjarri, municion luftarak, sasi lëndësh narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Ndryshe sot Policia shqiptare njoftoi finalizimin e operacionit të koduar “Strike 2”, ku gjatë operacionit u sekuestruan 2 armë zjarri (kallashnikov dhe pushkë), 2 mjete prerëse, një ndezës granate, municion luftarak dhe 4 celularë, ndërsa u arrestua 50-vjeçari E.M që mbante pa leje, në banesë, armët dhe municionet.
