Lojërat Mesdhetare, Rama: Deklarimet e ministrit Çeku janë të pavërteta dhe për keqardhje

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka reaguar për deklarimet e ministrit të Kulturës të Kosovës, Hajrullah Çekut, ndaj tij, rreth marrjes të së drejtës për organizmin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

“Dua t’ua bëj të qartë qytetarëve të Republikës së Kosovës se unë në asnjë moment nuk kam marrë meritat për suksesin rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në asnjë prej deklarimeve të mia publike e private nuk kam thënë diçka të tillë”, ka shkruar Rama në Facebook.

Rama u shpreh se ka falënderuar publikisht për këtë sukses, Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.

“Përkundrazi, në secilin prononcim kam falënderuar publikisht dhe i kam dhënë meritat kryesore për këtë sukses Komitetit Olimpik të Kosovës, në krye me Kryetarin Ismet Krasniqin dhe Sekretarin Besim Aliti. Po ashtu kam falenderuar Zyrën e Kryeministrit, ministritë përkatëse, Komitetin Olimpik të Shqipërisë dhe komunat tjera nënshkruese”.

Ndërsa akuzat e Çekut, Rama i quajti të pavërteta.

“Prandaj, deklarimet e Ministrit Çeku janë të pavërteta dhe për keqardhje, në veçanti gjuha e ulët e përdorur nga një zyrtar i lartë, të cilit i është besuar përfaqësimi i kulturës sonë në nivel shtetëror”.

Go to TOP