Nga Bumçi, Kuliçaj, Pollo, Strazimiri, e Oketa, te djali i Olldashit, Basha largon nga Këshilli 20 besnikë të Berishës, zbardhet përbërja e re dhe rezoluta e Kuvendit të PD

Partia Demokratike ka publikuar dje emrat e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, e cila përbëhet nga rreth 328 anëtarë.  Të shtunën u mblodh Kuvendi Kombëtar i PD, ku në fund u votua nga anëtarët për emrat që do të përbëjnë Këshillin Kombëtar. Ajo që bie në sy është se kryedemokrati Basha vijon të spastrojë partinë nga njerëzit e ish-kryeministrit Sali Berisha. Kështu nga një vëzhgim i gazetës “SOT”, rezulton se Basha ka larguar disa emra të njohur. Në krye të listës është ish-badigardi Agron Kuliçaj. Në zgjedhjet e 18 korrikut 2021, Basha e futi atë si anëtar, por te lista e djeshme mungon. Kuliçaj njihet i njeriu më besnik i Berishës dhe Basha e ka spastruar. Po ashtu ka larguar të gjithë ish-deputetët që i dolën në krah Berishës, të tillë si Aldo Bumçi, Genc Pollo, Gazment Oketa, Gent Strazmiri, etj. Ndërsa një emër që bie në sy është emri i Glauk Olldashit, djali i të ndjerit Sokol Olldashi, i cili garoi me Bashën për kreun e PD. Edhe Glauku është pozicionuar krah Berishës dhe Basha e ka spostuar. Po ashtu ka dhe emra si Ardian Turku, Aurel Bylykbashi, Julian Deda, apo Osman Mula, të cilët nuk janë më anëtarë të Këshillit Kombëtar. Ndërkohë në listën e anëtarëve të Këshillit do të jenë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dy anëtarë Kryesie në detyrë, 30 deputetë dhe 68 Anëtarë të kolegjit të kryetarëve në detyrë. Ndërkohë, sipas ndryshimeve të statutit janë larguar nga Këshilli ish-presidentët dhe ish-kryetarja e Kuvendit.

Kuvendi voton ndryshimet në Statut

Nga ana tjetër, Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, ku morën pjesë 4254 delegatë nga 5715 delegatë, ka miratuar nen për nen ndryshimet në statutin e PD-së. Gjatë mbledhjes u miratua Neni 48 që i jep kryetarit të partisë, Lulzim Bashës edhe postin e kreut të Grupit Parlamentar. Sipas ndryshimit të ri, në periudhën që Partia Demokratike është parti opozitare, kryetari i Partisë, në këtë rast Lulzim Basha, do të jetë njëherësh edhe kryetar i Grupit Parlamentar. Po ashtu është vendosur ndryshimi i logos së PD, duke rikthyer atë të vitit 1990. Mes këtyre pikave që përcakton statuti, në nenin 45, flitet për rolin e kryetarit të PD-së, ndërkohë që nuk ka asnjë pikë që e detyron atë që të japë dorëheqje nëse humb zgjedhjet. Pas përplasjeve te forta me Gazment Bardhin, duket se përkrahësit e Bashës kanë gjetur mënyrën se si ta largojnë atë përfundimisht nga funksionet partiake. Kuvendi ka miratuar ndryshime edhe lidhur me anëtarësinë e PD. Kështu, në statutin e ri thuhet se të gjithë anëtarët e partisë që kanë kandiduar për subjekte politike që nuk kanë qenë në koalicion me PD përjashtohen nga partia. Pra, të gjithë demokratët që kandiduan në 14 maj me Partinë e Lirisë së Ilir Metës, aleatin e Sali Berishës, apo në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, nuk do të jenë më anëtarë të PD. Po ashtu kryesia cakton edhe datën e zgjedhjeve jo më vonë se 6 muaj nga vakanca. Këto ndryshime pritet që t’i hapin rrugë ndryshimit të kupolës drejtuese, Kryesinë e re.

Basha mesazh demokratëve

Sakaq, në fjalën tij të gjatë prej rreth një ore, Lulzim Basha e nisi mesazhin e tij politik me një ‘mea culpa’ për demokratët, ku nënvizoi se më shumë kanë luftuar me njëri-tjetrin sesa për hallet e shqiptarëve. I pamenduar për vendimin që mori në 2021 për të përjashtuar Sali Berishën e shpallur ‘non grata; nga SHBA, Basha u bëri ftesë demokratëve të “Foltores” që të bashkohen me të. “Koha tashme e ka treguar se ata qe hodhën baltë ndaj nesh nuk i fshehin dot me duart e pista nga shpifjet me te cilat dëmtuan demokratet dhe PD. Ne nuk ju gënjyem, nuk ju premtuam as përmbysje imagjinar edhe as revolucione qe nuk ndodhen kurrë. Ne jemi te vetëdijshëm për gjendjen në të cilën ndodhet PD pas akteve të papërgjegjshme të ish-liderit të saj. Këtë të vërtetë nuk e fshehin dot as kullat që kane në themel korrupsionin dhe baltën e hedhur ndaj nesh”, deklaroi Basha.

Detajet nga Kuvendi

Në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha ishin këta deputetë: Oriola Pampuri, Andia Ulliri, Merita Bakiu, Kreshnik Çollaku, Flutura Açka, Ori Nebiaj, Eralda Bano, Arbi Agalliu  dhe Selaudin Jakupllari. Enkelejd Alibeaj, ish-kreu i grupit parlamentar nuk ishte i pranishëm në sallën e Pallatit të Sporteve. Në një njoftim për mediat, Alibeaj ka deklaruar se arsyeja e mungesës së tij janë angazhimet partiake jashtë vendit. Sot në mbështetje të Bashës ishte dhe deputetja Ori Nebiaj, e cila më parë ishte e pozicionuar krah Gazment Bardhit. Ndër të tjera, Partia Demokratike ka publikuar edhe kolonën zanore të aksioni të saj politik. Ajo do të jetë një nga hitet më të njohura të reperit amerikan Pitbull në bashkëpunim me Kristina Aguilerën. Ky hit në youtube numëron rreth 740 milionë shikime.

Miratohet rezoluta

Ndërkaq gazeta “SOT” ka zbardhur edhe rezolutën e Kuvendit të Partisë Demokratike, e cila përmban 10 pika kryesore nga mbështetja për Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion, tek krijimi i Aleancës Qytetare. “Mbështet institucionet e drejtësisë dhe në veçanti SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke dënuar me forcë çdo përpjekje për të intimiduar, frenuar apo kontrolluar institucionet e drejtësisë në misionin atdhetar për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë dhe për të garantuar barazinë para ligjit për çdo qytetar”, thuhet në rezolutë. Gjithashtu u bëhet thirrje institucioneve shqiptare, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe AMA-s, që të marrin masa dhe t’i japin fund abuzimit të përdorimit të emrit të Partisë Demokratike nga aktorë të tjerë, në respekt të ligjit shqiptar, vendimeve të Gjykatave dhe Kodit Zgjedhor shqiptar. Ndërsa konfirmohet se objektivi kryesor politik i PD-së do jetë anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në BE.

Go to TOP