Gushti i përgjakur: Për 10 ditë, 4 të vrarë e 20 të lënduar 

Plumbat që sollën vrasjen e parë të muajit, u shkrepën në qendër të kryeqytetit.

Armët që u përdorën të premten e 4 gushtit në Prishtinë, lanë 1 të vdekur e të paktën 17 të lënduar, raporton Klan Kosova.

Ndër këta të fundit janë edhe katër të dyshuar për këtë rast që u ndaluan nga policia, derisa Dukagjin Nikollaj vazhdon të jetë në arrati.

Listës së kërkimit veç tre ditë më pas iu shtua edhe T.F nga Klina, i cili u dorëzua në polici këtë të martë.

Ai dyshohet se shtiu shtatë herë me armë drejt A.P, duke e lënë atë të vdekur të hënën e 7 gushtit në një kafiteri të qytetit.

Shiritat për hetim të vrasjes, pa përfunduar kjo javë, policia i vendosi në një qytet tjetër ngjit me atë dukagjinas.

Në Runik të Skënderajt, në një lokal nate të enjten e 10 gushtit u vra 39 vjeçari N.L e të paktën tre u plagosën.

Për rastin dyshohen dy persona që janë ende në arrati.

Edhe më enigmatike se kjo, fillimisht u duk të jetë vrasja e katërt që ndodhi gusht.

S.M u gjet me shenja dhune gati se në gjithë trupin, pothuajse të zhveshur në afërsi të spitalit të Mitrovicës.

Rasti i cilësuar si “vdekje e dyshimtë”, u rikualifikua në “Vrasje e Rëndë”, pasi policia gjeti në shtëpinë e një personi të cilin e arrestoi, veturën e viktimës.

I dyshuari i dytë që më pas pranoi fajësinë u kap të hënën.

Këto vrasje u bënë sebep që Policia të nisë urdhrin operativ ‘Goditja’, në të cilin për pesë ditë u konfiskuan 37 armë e u arrestuan 96 persona.

Go to TOP