Goditi me veturë çiklistin, arrestohet një grua në Ferizaj
Sot rreth orës 13:50 në rrugën “Riza Matoshi” në Ferizaj ka ndodhur një aksident komunikacioni, ku janë përfshirë një veturë dhe një biçikletë.
Në lidhje me këtë rast, Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar një grua të moshë 39-vjeçare, e cila dyshohet se ka goditur me veturë çiklistin 62-vjeçar.
“Fillimisht policët e rendit e më pas hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Aksidenteve i kanë marrë veprimet e menjëhershme dhe kanë dalë në vendin e aksidentit. Nga hetimet e para dyshohet se drejtuesja e veturës me targa vendore B.S ( F/K) e moshës 39 vjeçare, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së veturës, e godet biçiklistin H.S ( M/K) i moshës rreth 62 vjeçar dhe për pasojë i shkakton lëndime të rënda trupore, të cilin për ndihmë mjekësore e dërgojnë në Qendrën Emeregjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Bëhet e ditur gjithashtu se e dyshuara është shoqëruar në Njësinë e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore.
