Sllavko e Simiqi në Amerikë, Trajkoviqi: Taktikë e SHBA-së që Vuçiqi të pajtohet për një kompromis me Kosovën
Dy zyrtarët e Listës Serbe, Sllavko Simiq dhe Igor Simiq, kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata dje në Washington janë pritur nga përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Por pse ky udhëtim i tyre në këtë kohë në Washington, a ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore pse s’është ftuar kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Lidhur me këtë në një intervistë ka folur politikania serbe, Rada Trajkoviq.
Sipas Trajkoviqit, kjo vizitë e zyrtarëve të Listës Serbe synon hapur që të krijojë një pamje se partia e Goran Rakiq vepron e pavarur nga Beogradi, edhe pse Trajkoviqi thotë se të gjithë e dinë se nuk është ashtu, meqë Vuçiqi i kontrollon nga afër. Politikania serbe thotë se e gjithë kjo është një “koreografi diplomatike” që duhet të çojë drejt një kompromisi.
Përveç kësaj, Trajkoviqi për Express potencon se përmes kësaj vizite, SHBA-ja po ua jep shansin zyrtarëve të Listës Serbe që të pozicionohen si të pavarur, në mënyrë që të marrin përgjegjësinë por edhe fajin për krizën në veri.
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës këtë vizitë në SHBA e sheh edhe si një shteg-dalje për presidentin serb, në mënyrë që ai mund “t’i lajë duart nga vendimet e gabuara që ka marrë lidhur me veriun dhe të bëj një kompromis me Kosovën.
“SHBA-ja po u jep zyrtarëve Srpska një shans për t’u pozicionuar si përfaqësues ‘të pavarur, autentikë’ të popullit vendas, në mënyrë që ata të marrin përgjegjësinë – por edhe fajin – për paqëndrueshmërinë e fundit në veri. Në këtë mënyrë, Vuçiqit mund të duket sikur nuk kishte kontroll mbi veprimin e tyre. Në fakt, vizita e tyre është një shtegdalje për Vuçiqin, në mënyrë që ai të mund të lajë duart nga vendimet e gabuara që ka marrë në lidhje me veriun, dhe në vend të kësaj të negocioj një kompromis me Prishtinën”, tha Trajkoviqi për gazetën Express.
Ajo thotë se është interesante që dy zyrtarët e Listës Serbe përveç zyrtarëve të DASH-it, do të takohen edhe me anëtarë të grupit serb në Kongresin Amerikan. Sipas Trajkoviq kjo po bëhet për të përmirësuar pozitën politike Vuçiqit dhe për t’ia mundësuar arritjen e një marrëveshjeje për veriun më me lehtësi.
“Është interesante se përveç zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, përfaqësues të Listës Serbe po takohen edhe me anëtarët e grupit serb në Kongresin Amerikan. Kjo do të thotë se ata janë gjithashtu aty për të lobuar në grup në favor të Vuçiqit. Si përmbledhje, vizita e tyre në Uashington ka për qëllim përmirësimin e pozitës politike të Vuçiqit dhe për t’i mundësuar atij të arrijë një marrëveshje në lidhje me veriun me më shumë lehtësi”, shtoi tutje Trajkoviqi.
Por pse s’ka udhëtuar drejt Brukselit kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe a mund të ndërlidhet kjo në ndonjë pikë me afërsinë e tij me Milan Radojiçiqin? Trajkoviqi thotë se të gjithë në Listën Serbe kontrollohen nga Radojicic dhe se ky është një fakt dhe shton se Rakiqi s’ka udhëtuar drejt Washingtonit meqë sulmet që janë bërë ndaj tij nga serbët lokalë kanë krijuar përshtypjen se ai ka humbur besueshmërinë te banorët vendas.
“Të gjithë zyrtarët Srpska kontrollohen nga Milan Radojiçiq. Ky është fakti. Dhe për sa kohë që ai të mbetet nënkryetar i partisë, kështu do të mbetet. Gjithashtu, të mos harrojmë se zyrtarët Srpska do të priten në Washington DC nga bashkëpunëtori i tyre i vjetër, ambasadori serb Marko Gjuriq, i cili njihet edhe për marrëdhëniet e tij të ngushta me Radojiçiqin. Të gjitha janë prerë nga e njëjta rrobë. Rakiqi është përjashtuar nga kjo vizitë si pasojë e sulmit fizik që ka përjetuar nga banorët vendas në veri, gjë që e ka dëmtuar ndjeshëm besueshmërinë e tij. Kjo ka krijuar përshtypjen se ai nuk gëzon më respektin e banorëve vendas – prandaj ka ardhur vendimi për të vënë zyrtarë të tjerë në ballë këtë here”, ka potencuar Trajkoviqi.
Trajkoviqi në fund thotë se vizita e dy zyrtarëve të Listës Serbe në Washington është një veprim taktik e diplomatik i SHBA-së që ka për qëllim të krijojë hapësirë politike që Vuçiqi të pajtohet për një kompromis me Kosovën.
Politikania serbe që këshillon ministrin në qeverinë “Kurti” Nenad Rashiq thotë se është e një rëndësie të madhe që të sigurohet pjesëmarrja e pakushtëzuar e serbëve në zgjedhjet në veri dhe se zyrtarëve të “Srpskas” po iu kërkohet që të mos bëjnë presion dhe të mos pengojnë akterët e tjerë politikë në veri që të marrin pjesë në zgjedhje.
Sipas Trajkoviqit, SHBA-ja dëshiron që fillimisht të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet derisa parashikon që krijimi i Asociacionit mund të vihet si kusht pak para se nis themelimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve.
Trajkoviqi për Express thotë se kjo vizitë e zyrtarëve të Listës Serbe në SHBA është për të negociuar humbjen e pushtetit politik. Ngjarjet e fundit në veri, Trajkoviqi potencon se kanë zvogëluar në mënyrë dramatike hapësirën manovruese të tyre dhe s’u ka mbetur zgjidhje.
“Siç thashë më herët, ky është një veprim taktik diplomatik i SHBA-së, që synon të krijojë një hapësirë politike që Vuçiqi të pajtohet për një kompromis me Prishtinën. Aktualisht, është e një rëndësie të madhe që të sigurohet pjesëmarrja e pakushtëzuar e serbëve në zgjedhjet në veri. Gjithashtu, zyrtarëve Srpska po u kërkohet të mos bëjnë presion dhe të mos pengojnë aktorët e tjerë politikë serbë në veri që të marrin pjesë në zgjedhje. Me fjalë të tjera, veriu duhet t’i kthehet një farë demokracie dhe rendit institucional. SHBA-të do të donin të shihnin fillimisht pjesëmarrjen politike pa asnjë kusht. Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të parashtrohet si kusht më vonë, ndoshta pak para se institucionet lokale të formohen realisht pas zgjedhjeve. Me fjalë të tjera, zyrtarët Srpska janë në SHBA për të negociuar humbjen e pushtetit të tyre politik në veri. Hapësira e tyre për të manovruar është zvogëluar në mënyrë dramatike gjatë ngjarjeve të fundit dhe është e qartë se ata nuk kanë më zgjidhje në këtë çështje”, përfundoi Rada Trajkoviq.
