Ambasada gjermane e quan “informal e konfidencial” takimin e pardjeshëm Kurti-Sarrazin
Ende nuk dihen detaje nga një takim që kryeministri i vendit, Albin Kurti e pati të martën me përfaqësuesin Special të Qeverisë Gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Qeveria nuk tregoi se çka u diskutu, ndërkaq, Ambasada Gjermane po deklaron që takimi ishte “konfidencial”.
Një takim që pritej të mbahej në orën 21:30 të martën mes Kurtit e Sarrazin, u zhvillua në fakt më herët se sa që ishte paraparë.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se “për shkak të ndryshimeve në agjendë” takimi që ishte paralajmëruar në atë orë “tashmë” ishte mbajtur dhe kishte përfunduar në orët e para të mbrëmjes.
Ky do të ishte edhe njoftimi i vetëm i Qeverisë së Kosovës për këtë takim. Ndërkohë, media kontaktoi Ambasadën Gjermane për të marrë detaje rreth këtij takimi.
“Takimi ishte informal dhe konfidencial.” – na u përgjigj shkurt Vera Baumann, zëvendësshefe për media.
Ndërkohë, së fundi emisari Sarrazin është shprehur ashpër edhe për marrëveshjen e arritur në Braitsllavë për hapat e parë të deeskalimit të situatës në veri
Ai e quajti hapin e bërë nga Qeveria e Kosovës drejt deeskalimit si “hap të vogël” dhe që nuk i jepte fund tensioneve.
“BE-ka e ka dhënë të qartë planin e saj trepikësh që do të thotë të mos ketë fare më prezencë të forcave speciale policore në veri dhe në afërsi të komunave, dhe ky zvogëlimi prej 25% është hap drejt asaj, por qartazi nuk e përmbush kërkesën e Bashkimit Evropian,” – kishte deklaruar përfaqësuesi gjerman.
