𝗛𝗲𝗹𝗺𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝟭𝟮 𝗸𝗼𝘀𝗼𝘃𝗮𝗿ë𝘃𝗲 𝗻ë 𝗦𝗵ë𝗻𝗴𝗷𝗶𝗻 – 𝗞𝘆 ë𝘀𝗵𝘁ë 𝗛𝗼𝘁𝗲𝗹𝗶 𝗸𝘂 𝗽𝗼 𝗾ë𝗻𝗱𝗿𝗼𝗻𝗶𝗻
Mjeku i Spitalit të Lezhës ka deklaruar se 12 pushuesit nga Kosova që u helmuan ditën e djeshme në hotelin ‘Frojd’ në Shëngjin janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Mjeku sqaron se atyre iu është dhënë ndihma mjekësore dhe pas trajtimit, janë larguar nga spitali.
“Ditën e djeshme janë paraqitur në urgjencën e spitalit të Lezhës, rreth 12 persona që vinin nga një hotel të cilët si ankesa kishin marrje mendsh, dobësi të theksuara trupore, dhimbje koke, pro pa të vjella. Me parametra të mirë përveç një tensioni të ulët, kur janë paraqitur në urgjencë janë marrë analizat dhe i është dhënë ndihma mjekësore.
Pasi i është dhënë ndihma, të gjithë janë përmirësuar dhe në përgjithësi analizat kanë dalë mirë. Aktualisht nuk ka të shtruar në spital, pasi kanë marrë ndihmën janë larguar nga urgjenca”, shpjegon mjeku.
Sipas AKU në Lezhë, nuk bëhet fjalë për helmim nga ushqimet, por për një problem me preparatin e përdorur për dezinfektimin nga mushkonjat, pasi dyshohet se ka qenë i fortë por ndërkohë mund të ketë ndikuar edhe mungesa e energjisë elektrike dhe temperaturat e larta.
