Pushteti dhe PDK-ja fajësojnë njëra-tjetrën për dhunën në Kuvend

Janë parë me kritika ndaj njëri-tjetrit e jo rrallëherë edhe me ofendime, por deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës morrën vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare gjatë seancës të së enjtes.

Shkak ishte dhuna e treguar në Kuvend. Deputetë të pushtetit e ata të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) u përleshën mes vete për ta dërguar Kuvendin në një pauzë prej dy orësh e njëherit, për të marrë vëmendjen e mediave rajonale e ndërkombëtare.

E gjitha nisi me një fotografi të vendosur nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu. Fotografia ishte një e Kryeministrit, Albin Kurti e shoqëruar me një animacion të personazhit vizatimor Pinokio. E njëjta u shqye nga zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi, veprim i cilinxiti veprimin e deputetit të PDK-së, Mergim Lushtaku.

Ky i fundit spërkati me ujë Kryeministrin, veprim të cilin tentoi ta ndalonte Ministri i Financave, Hekuran Murati. Lushtaku nuk kurseu as zëvëndëskryeministrin Bislimi por më pas, ky i fundit goditi me shishe Lushtakun për të filluar kështu një përleshje e cila mblodhi në mesin e sallës një pjesë të deputetëve.

Më vonë, u bë e ditur se Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, është ftuar nga Prokuroria për intervistim pas skenave të dhunës në Kuvendin e Kosovës. Me të, edhe deputeti, Hajdar Beqa.

Se kush e nisi e pse erdhi deri tek përleshja, pushteti e PDK fajësojnë njëra-tjetrën për dhunën në Kuvend.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi të gjatë në Facebook ka komentuar përplasjen në mes të deputetëve të PDK-së dhe atyre të VV-së dhe ministrave të kryeministrit, Albin Kurti, të cilët po mbronin.

Ajo përplasjen e PDK-së e ka cilësuar si “sulm të organizuar” ndaj Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se Qeveria e Kurtit nuk ka asnjë ministër apo zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi, për dallim nga qeveritë e kaluara.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për situatat e dhunës që u shfaqën këtë të enjte në kuvend.

Dhuna, sipas tij, ishte e orkestruar nga Qeveria kundër deputetëve të PDK-së.

“Dhuna qeveritare në mbrojtje të Radojçiqit! Sot, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë ballafaquar me një orkestim të pastër nga ana e Qeverisë, që, fatkeqësisht, ishte i bazuar në sulme fizike dhe nxitje të dhunës”, ka thënë ai.

Sipas të parit të PDK-së, sulmet e Qeverisë ndaj opozitës kanë për qëllim që t’i mbulojnë skandalet e tyre, siç është komunikimi i Mimoza Kusari – Lilës me Milan Radojçiqin.

Kurse arsyeja e dytë, sipas Krasniqit, është që Qeveria “Të mbulojë tërheqjen e turpshme e të fshehtë të Besnik Bislimit nga veriu i Kosovës – këtij “profesori” që provokoi, nisi dhe kontribuoi pareshtur në sulmet fizike të Qeverisë ndaj deputetëve tanë”.

Krasniqi tha se PDK-ja nuk do të ndalet “për asnjë moment, derisa e vërteta e plotë e koketimit të kësaj Qeverie me kriminelin Radojçiq të merret vesh plotësisht”.

Akuza ndaj partisë në pushtet erdhën edhe nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra. Ajo deklaroi se Qeveria po përpiqet të tërheqë vëmendjen ashtu që të mos japë llogari e përgjegjësi për audio-incizimet e Kusari-Lilës.

Pas dhunës në Kuvend, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që ta marrin punën me qetësi dhe bashkërisht të tejkalohet kjo ditë të cilën ai e quan të vështirë.

Në një fjalim në foltoren e Kuvendit, Konjufca ka theksuar se ndonëse fjalët më të rënda ndaj njëri-tjetrit nuk janë kursyer asnjëherë, ato sërish mbesin vetëm fjalë, por veprimet si sulmi fizik nuk trajtohet vetëm në kuvend, por edhe nga organet e rendit.

Ai ka theksuar se nuk duhet bërë përgjegjës për diçka që, siç thotë kryetari i kuvendit, çon në faza krejtësisht të paparashikueshme.

“Unë bisedova me kryeministrin, ai po heq dorë nga fjala e tij që e pati, dhe nëse ne si deputet e kemi një mirëkuptim me njëri-tjetrin për të vazhduar në një pikë tjetër për të vazhduar te pyetjet parlamentare, atëherë këtë mendoj që qytetarët e presin nga ne dhe ato të tjerat nuk na takojnë neve si deputetë, por organeve. Ju lutem si kryetar për këtë kapitull të ri që duhet të hapet pas kësaj dite të vështirë, pas atyre veprimeve të papranueshme, urojmë që të mos përsëriten, nëse e kam këtë mirëkuptim prej të gjithë deputetëve mirë, nëse jo, atëherë do të ishte një ogur i zi për Kosovën i cili na çon në faza krejt të paparashikueshme edhe për Kosovën edhe për qytetarët. Të mos bëhemi përgjegjës për diçka që nuk do ta donim ta shihnim vendin tonë në atë gjendje”, shtoi më tej ai.

Pas rreth 3 orësh pauzë, deputetët e Kuvendit të Kosovës u rikthyen në kuvend për ta vazhduar seancën plenare, e cila paraprakisht u ndërpre për shkak të përleshjeve fizike mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, deputetë të opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit për të penguar vazhdimin eseancës plenare, gjë e cila kundërshtohej dukshëm nga opozita parlamentare.

Në ndërkohë, PDK paraqiti dy pankarta përqeshëse me simbolikën e karakterit të animuar Pinokio.

Go to TOP