SBAShK-u e quan skandal rekrutimin e inspektorëve me baçelor
Fakti se Inspektoret e ardhshëm të Arsimit mund të kenë më pak shkollim sesa ata që do të inspektohen, është i papranueshëm për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Nënkryetarja e kësaj Sindikate, Vjollca Shala, ka thënë për KIKS Kosova se është skandaloze se si ka mundësi që një inspektor me gradën e shkollimit Bachelor ta inspektojë një profesionist arsimor me disa vite përvojë pune e gjithashtu edhe me gradën e shkollimit Master.
Tutje Shala shton se nuk e kupton se pse është ulur kaq shumë kriteri për rekrutimin e inspektorëve.
Ajo shprehet e habitur se si ka mundësi që një inspektor me titullin Bacheler i cili nuk plotëson kushtet për të qenë as mësimdhënës në shkollat e mesme të ulëta e as në ato të mesme të larta, të bëjë vlerësimin e mësimdhënësve me gradën Master.
KIKS Kosova ka hulumtuar në disa nga konkurset e hapura nga drejtoritë komunale, për të parë se cilat janë kriteret të cilat kërkohen për rekrutimin e mësimdhënësve, dhe në të gjitha konkurset publike ka gjetur se njëri nga kushtet elementare për pozitën e mësimdhënësit është që kandidati të ketë gradën e shkollimit Master.
Ende nuk është e qartë nëse inspektorët janë rekrutuar, ani pse konkursi është mbyllur që nga data 29 maj 2023, pasi që MASHTI ende nuk ka njoftuar as për përzgjedhjen e kandidatëve e as nëse ky konkurs është anuluar.
KIKS Kosova ka dërguar pyetje pranë MASHT-it për të kërkuar informacione rreth këtij konkursi, mirëpo deri më sot nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje.
