Eksperti i IT-së: Ka sinjale se edhe Kosova është përfshirë në propagandën online

Eksperti i Teknologjisë Informative, Gent Progni, në një intervistë ekskluzive për Kiksin, ka treguar se si funksionon një sistem i propagandës online, skemë për të cilën raportoi sot Kiks Kosova.

Sipas Prognit, rrjedhja e listave të profileve që shpërndajnë propagandë pro Aleksandër Vuçiqit dhe partisë së tij, do të ndikojë në politikën ndërkombëtare.

Madje, sipas tij, një skemë e tillë ekziston edhe në Kosovë.

“Kjo do të ndikojë, si e shoh unë, kjo do të ndikojë në politikën ndërkombëtare për presidentin Vuçiq, sepse do të kuptohet se ai po luan dy lojë të ndryshme, pra po luan me dy porta. Por, mendoj që do të ketë edhe boomerange edhe për Kosovën dhe Shqipërinë, sepse do të kuptohet që kjo propaganda falso që po bëhet nuk është realiteti që ndërkombëtarët shohin… Informacione na kanë ardhur se ka edhe në Kosovë, ka një sens jologjik, teknik të disa postimeve që bëhen në Kosovë ose livestream-eve që bëhen në Kosovë, nuk kanë logjikë teknike. Të thash, në investigimin tim më ka dalë një parti në Kosovë, që ka punuar me të njëjtën person që quhet Ziveres, pra është i njëjti person që ka impementuar të gjithë këtë teknologji në Shqipëri dhe mendoj se mund ta ketë impelementuar edhe në Kosovë.”

Progni thotë se platformat e tilla shpërndajnë vetëm postime të cilat janë në favor të institucionit ose organizatës që qëndron prapa kësaj platforme, duke i bërë ato virale.

Praktika të tilla, thotë eksperti i IT-së, shuajnë protestat, partitë e reja dhe aktivistët.

“Nëse unë si aktivist kundër qeverisë postoj një postim shumë të saktë, 100 % autentik, të invetiguar dhe me detaje, unë marr 40 likes dhe platforma nuk e quan si viral post dhe nuk e shpërndan askund. Ndërsa, postimet e qeverisë, propagandën e qeverisë, pro qeverisë për punë të mira…, meqenëse bëhen këto fake likes, por me profile origjinale, këto viralizohen në rrjete sociale. Kështu shuhen protestat, aktivistët, partitë e reja që mund të dalin.”

Go to TOP