Përfundon takimi Kurti – Borrell

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në pasditen e së enjtes, në Bruksel, me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, tani ka nisur takimi tjetër ndërmjet Borrellit dhe Lajçakut, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Për takimin me Kurtin, Borrell është deklaruar nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Twitter.

“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për deeskalim të menjëhershëm dhe një rrugë përpara”, ka shkruar ai.

Më herët, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian tha se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.

Takimet në Bruksel me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Albin Kurti, dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.

Go to TOP