Politikania nga Austria: Bota demokratike ka nevojë për Kosovën

Presidentja e Akademisë Politike të Partisë Popullore të Austrisë (OVP), Bettina Rausch, është duke vizituar Kosovën si pjesë e një delegacioni nga Vjena.

Në një intervistë për Klan Kosova, ajo thotë se në politikën e jashtme të shtetit të saj, integrimi i Republikës së Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkim Evropian (BE) është prioritet. Sipas Rausch, vetëm kështu kryhet projekti i BE-së.

“Në bazën bileaterale Austria tani mund të bëjë shumë. Në nivelin evropian politikanët tanë, këtu  mund të flas edhe për kolegët nga Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, gjithnjë e ngrenë zërin që investimet e rajonit, e pikësëpari të Kosovës nuk do humbasin në këtë kohë turbulente. Përkundrazi ne duam që të qëndrojmë në këtë dhe që s’duhet të zgjasë më me dekada derisa ky projekt të përmbyllet”, thotë Rausch në këtë intervistë për KlanKosovatv.

Në arenën ndërkombëtare, republika më e re evropiane, pra Kosova, po synon të anëtarësohet në organizata të mëdha ndërkombëtare siç është Këshilli i Evropës (KiE), ku është kaluar faza e parë.

“Është e rëndësishme dhe e bukur që Kosova e do këtë sepse në ditë të sotshme kjo nuk është më e vetëkuptueshme që ka shtete demokratike, mjafton të shikohet çka po ndodh në botë dhe në Evropë, po ashtu. Neve na nevojitet Kosova si partnere. Mendoj që jo vetëm Kosova ka nevojë për Austrinë, por bota demokratike ka nevojë për Kosovën”, tha më tej politikanja austriake.

Rausch foli edhe për modelet që Kosovës po i kërkohen që t’i akomodojë kërkesat e komunitetit serb nëpërmjet krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Tiroli Jugor, krahinë që ndodhet në trekëndëshin Austri-Itali-Zvicër, është përmendur si model që mund të funksionojë në rastin kosovar.

Por, Bettina Rausch, që është edhe deputete në kuvendin shtetëror austriak, shton se Prishtina zyrtare duhet ta gjejë modelin e vetë.

“E di që ka publikisht një sugjerim dhe bisedimet do të vazhdojnë, por unë mendoj se duhet të gjendet një drejtim vetanak. Kjo do të jetë e lodhshme dhe do të kërkojë fuqi dhe përkushtim nga të dyja palët. Ky do jetë proces i zorshëm, kërkon përkushtim nga të dyja palët dhe se zgjidhjet nga jashtë nuk janë kurrë gjëja e duhur”, përfundoi politikania austriake.

Go to TOP