Vuçiq kërkon themelimin e Asociacionit: Ne mund të jemi budallenj, por jo edhe aq
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se shteti i tij do ta përmbushë pjesën e saj, kur Kosova ta formojë Asociacionin.
Kosovo-Online raporton se Vuçiq i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media me ministrin e Puënve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom.
“Gjëja është se ju e formoni Asociacionin me kompetenca thelbësore dhe kur ta bëni këtë, Serbia gjithmonë e ka mbajtur fjalën, do të përmbushë pjesën e saj të punës. Asnjë lojë. Vetëm kur ta përmbushni ju, ne do ta përmbushim tonën.” – ka thënë ai.
Vuçiq, citohet të ketë deklaruar se duhet të përmbushen obligimet që të mos përfundojnë si disa marrëveshje të tjera.
“Ne në Serbi mund të jemi budallenj por jo edhe aq. Ne patëm mundësinë që të mësojmë nga ajo që po ndodë në botë. Kur ta përmbushin obligimin, edhe ne do t’i futemi punës me gëzimin më të madh për ta përmbushur atë që kemi premtuar publikisht.” – ka thënë ai.
Vlen të theksohet se Vuçiq pritet që më dy maj të takohet me kryeministrin Albin Kurti në Bruksel në një raund të ri të bisedimeve, kjo pas arritjes së marrëveshjes së Ohrit.
Ndërkohë, dje është formuar edhe Komiteti i Përbashkët Monitorues ku BE-ja do të përfaqësohet nga emisari Miroslav Lajçak, Serbia nga kryenegociatori Petar Petkoviq, dhe Kosova nga ambasadori në Holandë, Agron Bajrami.
