Krimi hedh valle, qeveria  s’e rruan fare…

SHKRUAN: ILMI QAZIMI

Shpesh e më shpesh, në atdheun tonë të dashur, shohim e dëgjojmë vrasje me plumb, thikë, makinë…Thuajse për ditë  publikohen me bujë vjedhje, arrestime dhe përdhunime.

Nga 12 faqet disa të përditshme mediatike , tetë faqe i kanë më këto lloj informacionesh. Nuk mjaftojnë kaq por del edhe “Top Channel” me një lloj tjetër krimi  shpirtëror të çngjyrosur që emërtohet “Big Brother VIP”.

Dhe i thuren lavde e ditirambe sikur kjo lloj shfaqje që meriton fjalën ‘monstruoze’, qenka ajo që u ka munguar shikuesve  shqipfolës!? Krimi vendos kamera nëpër tërë Shqipërinë dhe filmon rehat-rehat veprimet e policisë për muaj  të tërë; a thua nuk di gjë qeveria? Krimi qëllon kundër një ndërtese madhore të xhamtë ku brenda e jashtë saj punojnë për të fituar bukën e gojës afër 3500 persona duke nisur që nga roja me tre turne, i cili paguhet si mos më keq; këtu vritet roja dhe autorët nuk gjenden dot?!

Por media, më tepër reklamon vetëm xhamat e vrimosur nga 26 plumbat e aspak nuk qan hallin e fukarait roje që la tre fëmijë  pa baba!? “Ti më vrare e unë të vrava” –thuhet me vepra, me thikë e me dyfek, në Kavajë ditën  në shesh! A thua se nuk ka dijeni aspak segmentet administrative e policore të qeverisjes vendore për këta  vrasës? Është e papranueshme që tek ne  makina shtypëse e shtetit nuk punon kundër kriminelit,por vetëm kundër varfanjakut? 

A ju kujtohet që në këtë hark kohor, ndodhi edhe  ajo e pabesueshmja: burgoset nëna lehonë se nuk kish paguar një gjobë të konvertuar duke lënë foshnjën pesëditëshe në shtëpi dhe nuk paskemi asnjë mundësi që të kapim autorin e 26 plumbave   kundër një pallati të xhamtë?Po lexojmë e dëgjojmë ngushëllime e urime, deri edhe fjalime lakonike e filmike nga qeveritarë, kryetarë e anëtarë të kabinetit femëror të z.Edi Rama, edhe të shkallarëve të tjerë partiakë të majtë.

Por,realisht, ata kanë një hall  tjetër më të madh: që të fitojnë zgjedhjet e 14 majit e nuk kanë nge të merren me luftën kundër krimit as atij rastësor, as atij të organizuar!Për krimet që ‘këndojnë’ thuajse çdo ditë tek ne, e djathta e çakërdisur, (që i ushqen me fjalët, bëmat dhe qëndrimet e saj,) ia hedh fajin Edi Ramës, kur në realitet ajo është  e fundosur fund e krye në krim,paçka se  i ka humbur vula!Daljet e përditshme nëpër ekrane të të njëjtës figurë pa fytyrë e fytyrë me lloj-soj fytyrash si ajo e Sali Berishës, është kthyer në një ndotje akustike dhe mjedisore. Mund të quhet një zhurmues kryesor në korin e  sinkronizuar me të gjithë antishqiptarët, madje herë-herë edhe me disa nga ish-qeveritarët,-kudo ku janë e ku nuk janë. 

Edhe më tej lindin pyetjet legjitime: kush e drejton krimin sot në Shqipëri, po qeveria dhe  opozita çfarë roli luajnë? Veças apo bashkë? A mos vallë  kasta e politikanëve tashmë mbi tridhjetëvjeçarë  është mbështetëse direkte e tërësisë së krimeve që shpien në humbje të kaq shumëjetësh njerëzore? Natyrshëm thuhet se krimi, tek e fundit, është pasqyrë e gjendjes morale dhe ekonomike të shoqërisë në një kohë e vend të caktuar.  Në një vend si ne, ku ka  një polarizim të tejskajshëm  në mirëqenie, një kaos të paimagjinuar në punët shtetërore ku përqindja më e madhe e nëpunsave shikojnë  vetëm fitimin mbi rrogë e jo cilësinë e punës, domosdo që edhe krimi gjen shesh e bën përshesh. Nuk bëhet fjalë fare për ndërgjegje dhe përgjegjshmëri në detyrën e besuar. Jo! Këto dy fjalë janë harruar krejt.

Të shumtëve as që iu shkon mendja se  çfarë pasojash sjell moskryerja e detyrës  shtetërore  ashtu si e ka ligji dhe rregullorja. Kur dënohet kryetari i bashkisë, çfarë do presësh nga  nëpunësi apo nga i papuni? Ja kjo është pasqyrë  e  qeverisjes, së cilës krimineli ia ka pirë lëngun ose pi   shampanjë tok me të. Thelbësisht është sistemi ekonomiko-shoqëror kapitalist që pjell çdo ditë krim dhe kriminelë.

Është pabarazia shoqërore , mënyra e jetesës dhe shtërzimet e një shoqërie që synon të kthehet tërësisht, nga socializëm ku synohej barazia-ashtu në varfëri relative- në një shoqëri ku themeli i tërëçkaje është prona private mbi mjetet e prodhimit  dhe mënyrat e mbrapshta të shpërndarjes së të mirave materiale. Kështu që, në këtë nivel të zhvillimit të forcave tona prodhuese do të ketë gjithsesi krime që lindin nga  nevojat e bosëve për të superpasuruar dhe hallexhinjve të varfër që duan të mbijetojnë. Kësisoj krimi tek ne do të jetë i pranishëm tërë kohën që shteti ynë do të jetë kapitalist. Çështja është që qeveria të  mund të marrë masa për ta zbutur  atë dhe pasojat e tij. Dhe mundësitë i ka sepse kryeministri, në këtë sistem qeverisës, ka edhe gurin edhe arrën në dorë,në të gjitha rastet.

Në raport me  titullarët e tjerë më të lartë ai ka shumë detyrime, të drejta kushtetuese e  të thjeshta morale, pra shumë  mundësi reale që të ndihmojë luftën kundër krimit individual, rastësor apo të organizuar. Tërë këto  krahas me veprimet e rrepta të organeve të drejtësisë  të pushtetit ligjzbatues. Po vallë a e bën dhe si e bën kryeministri ynë detyrën e tij për të luftuar krimin?  Mendoj se nuk e bën mirë!

Ai me aq sa shihet nga populli i thjeshtë, i anashkalon qetazi këto situata. Ashtu siç u prononcua ashpër për krimet  e strukturave mafioze angleze ndaj emigrantëve tanë, përse nuk  hidhet në sulm kundër kriminelëve vendas, me tërë arsenalin qeverisës? Aktualisht nuk mund të themi  se ‘qeverinë e ka kapur krimi për fyti’, por  qeveria me hallkat e saj duhet të punojë shumë më tepër, në çdo orë të 24-orëshit e  jo me stilin ‘një herë  në mot del e kullot’. Ne që jemi mbi shtatëdhjetë e pesë vjeç kujtojmë se në brezin tonë të gjithë kishim armë dhe bënim zborr e stërvitje për të vrarë . Por asnjë krim nuk u bë me ato armë! Dhe kur them asnjë nuk gaboj.

Të rrallët që vetëvriteshin ishin viktima të vetes sepse e ndjenin  fajin e bërë dhe i jepnin fund të shkurtër jetës. I gjithë populli ishte ushtar me armë në krah, por asnjë ushtar nuk ia drejtoi armën popullit. Prisnim armikun që të na sulmonte. Ne mbrojtëm paqen e kërcënuar por nuk vramë as njeri- tjetrin e as kënd tjetër.

Fjala ‘krim’ kishte shtrirje të ngushtë si ata që vidhnin, që tentonin të arratiseshin, që cenonin nderin e ndonjë vajze, që dilnin hapur apo fshehur kundër vijës së partisë. Nga fundi i viteve 1975 deri 1985 pati ekzagjerime dhe vrasje që nuk duhej të kryheshin , pati veprime  të pafalshme si  mbetje të luftës klasore brenda llojit, por për atë kohë plotësisht të argumentuara. Gjithsesi krimi ishte i tulatur dhe i ndëshkueshëm që në embrion. Sistemi ekonomiko-shoqëror nuk pillte krim,por ndëshkonte rëndë të gjithë llojet e krimeve, pavarësisht se kush ishte personi, nga karrocier deri anëtar i byrosë politike.  Kurse tani klasa sunduese, (pra borgjezia e re shqiptare, servile e plotë e Perëndimit dhe ndonjëri edhe i Lindjes), krimit ia  kultivon embrionin dhe i përgatit kushtet për rritje, zhvillim dhe masivizim.

Kur analizohet një ngjarje, tek ne, rrallë herë përdoret metoda dialektike, ku duhet së pari të përcaktohen shkaqet e pastaj të delet tek pasojat. Niveli i ndërgjegjes  shoqërore tek  punonjësit e strukturave tona ligjore, ligjvënëse dhe ligjzbatuese  është shumë i ulët, edhe pse  prokurorët e gjykatësit marrin paga shumë të larta në raport me  të tjerët. Shikoni rastin flagrant: polici që kryen detyrën e patrullimit duke ndëshkuar një shkelës- anatemohet, dënohet dhe madje i privohet liria kurse, ndërkohë shkelësit që mori atë që meritonte, o vdekjen o plagosjen, lavdërohet dhe lartvlerësohet?! Kjo është paradoksale. Ose rastet e tjera tepër të rralla por ama janë raste shqiptare: vriten katër policë në Durrës, në pamje kot së koti, por në fakt për sa e sa mungesa?! Dhe tjetri rast, burgoset në Shkodër gruaja lehonë duke lënë fëmijën pesëditëshe  në shtëpi, sepse nuk paskësh paguar në afatin e caktuar një gjobë…?!  Këto shembuj sjellin dobësim të  situatës së besimit tek drejtësia e policia, për rrjedhojë i japin sheshpamje të gjerë dhe fushëqitjeje të lirë krimit.

Dhe për  disa vite, tek në janë vrarë  në krye të detyrës 422  djem nënash, që kryenin detyrën e policit,për të marrë një pagë për të mbajtur fëmijët që tashmë mbetën jetimë!?  Si mund të themi se qeverisjet janë të shëndosha me këto shifra vdekjesh? Të shumta janë  tek ne krimet që  iniciohen nga bosët e dollarit apo të politikës. Po kush u dënua prej tyre? Nuk ka emra! Vrasësit me pagesë  kanë qenë e do të jenë sepse  i kultivon  sistemi i fitimit të parasë me çdo mjet e  në çdo rrethanë. Por për deri sa mungon dënimi me varje, krimi në vendin tonë vështirë se do të minimizohet.

Është mjeti me më shumë efekt edukues, edhe pse mund të cilësohet prej ndokujt si  ndëshkim ekstrem. Vetëm ligji për dënimin me vdekje rregullon në një masë shumë të madhe këto problematika kaq të rënda, duke ia prerë rrugën, burimin e ujit dhe vijën e rrjedhjes së krimit dhe kriminelit. Kur këtë ligj e kanë  pjesa më e madhe e shteteve në glob, midis tyre edhe jo pak amerikane përse të mos e ketë edhe Shqipëria e vogël dhe e brishtë? Të vrarë thuajse për ditë, mjete të djegura çdo javë, dhe fajtorët  kanë ikur’ në drejtim të paditur’!?Edhe në se gjenden, atyre u jepet dënimi minimal duke  i çuar në  burg.

Demek iu privohet liria!E çfarë burgu se!? Hanë, pinë, shohin televizor, bëjnë   lëvizje dhe aktivitete argëtuese e sportive, u vjen familja për takime speciale …E pse privim lirie janë këto? Po pse burg është ky? Të tëra këto  janë fondet që dalin nga ne që paguajmë taksat të cilat pothuajse  çdo  muaj  i rrit qeveria jonë. Kësisoj  krimineli  është i garantuar  për jetë të rregullt dhe që askush nuk e cënon edhe pse  dora e  tij kushedi se sa  ka vrarë!? E si  mund të thuhet se qeveria lufton krimin kur realisht qëndrimet  e saj ndihmojnë kriminelin? Dënimi me vdekje duhet të rivendoset pa tjetër. Dhe këtë ndërmarrje duhet ta kryejë qeveria si propozim të domosdoshëm dhe sa më parë.

Go to TOP