Ekspozita “Maestro Gjelosh Gjokaj”, 73 vepra ekspozohen për herë të parë në COD
Qendra për Hapje dhe Dialog çeli mbrëmjen e shtunës ekspozitën me titull “Maestro Gjelosh Gjokaj”. Për herë të parë COD sjell imazhet artistike me tipare emblematike dhe narrative të Maestro Gjelosh Gjokaj.
73 vepra, pjesë e koleksionit më të madh të mjeshtrit të grafikës, të ekspozuara në retrospektivë duke nisur nga viti 1961 deri në 2013. Temat dhe historitë e sjella në retrospektivë zbërthehen nëpërmjet përplasjeve të hapësirave, ngjyrave dhe figurave karakteristike që lindin si rrjedhojë e subkoshiencës së artistit, e transformohen në kombinime spontane, por mbresëlënëse. Kjo pasuri e jashtëzakonshme kulturore e shpalosur mjeshtërisht siç i ka hije edhe vetë emrit të artistit Gjelosh Gjokaj, mirëpriti në COD kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të lartë të klerit si edhe artdashës nga Mali i Zi dhe Shqipëria. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në datat 3 – 30 prill 2023. Gjelosh Gjokaj (25.07.1933 – 25.09.2016) ishte artist i njohur nga Mali i Zi. Pas diplomimit të arteve të bukura në Akademinë e Arteve në Beograd në vitin 1963 ai vazhdoi të bëhet pjesë e fakultetit deri në vitin 1969 në Prishtinë, Kosovë. Më vonë emigroi në Romë, Itali ku jetoi dhe punoi deri në vitin 1983. Ai ishte në gjendje të linte gjurmë në mbarë botën me ekspozita të ndryshme. Veprat e tij artistike shkëlqejnë sot nëpër muzeume e galeri artistike në Ballkan, në Evropë dhe më gjerë. Ai cilësohet si “babai i artit grafik të Kosovës”. Ekspozita që këtë kohë u çel në COD pranë kryeministrisë vjen në vijim dhe të atyre që janë hapur më parë, me punime të artistëve të ndryshëm.
