Kurti për N1: Beogradi s’është serioz – e quan Kosovën shtet të rremë, ndërsa kërkon Asociacionin

“Ne duam marrëveshje, shkojmë në dialog. Duket se Beogradi dhe Vuçiqi nuk duan marrëveshje”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për N1 të Sarajevës.

Kurti theksoi se në vitin e fundit Kosova ka shënuar “rritje historike” dhe shtoi se pozita e vendit, sipas “Transparency International”, është përmirësuar për 17 vende në lidhje me luftën kundër korrupsionit, por edhe në lirinë e mediave.

“Sa i përket shtetit ligjor, ne jemi të parët në Ballkan. Pra Kosova është një vend normal me progres dhe zhvillim, por marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale. Nuk ka të bëjë kjo me Kosovën, por sepse Serbia nuk është një vend normal. Është një autokraci me lidhje shumë të gjera dhe të ngushta me Kremlinin. Serbia në kohën e sundimit të SNS-së u bë provincë e Rusisë dhe për këtë arsye situata në Ballkan është e rrezikshme, sepse pos që po luftojmë hegjemoninë e Beogradit, aty është edhe Rusia. Kosova ka ushtrinë dhe policinë e saj dhe është një vend shumë më demokratik se Serbia, dhe pavarësia e Kosovës është shumë më e madhe sesa e Serbisë, e cila është e varur nga Rusia. Për sa i përket rritjes ekonomike, jemi përpara Serbisë. Në Serbi opozita nuk mund të fitojë dhe në Kosovë ne si opozitë dëshmuam se mund ta marrim pushtetin. Është testi kryesor i demokracisë. Ju e dini që opozita nuk ka shanse të fitojë as në Rusi. Jemi të kujdesshëm sepse kufizohemi me një vend jodemokratik”, tha Kurti.

I pyetur se pse nuk lejohet formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kurti tha se për normalizimin e marrëdhënieve “duhet të kemi njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes”.

“Nëse Beogradi thotë se nuk do të ndodhë, atëherë ata janë kundër marrëveshjes. Kosova nuk do ta lejojë Republikën Serbe brenda Kosovës dhe ne e dimë shumë mirë se këtë e dëshiron Serbia. Ne kemi përvojë të hidhur nga BeH-ja dhe jemi shumë të kujdesshëm që Serbia të mos e kopjojë atë model në Kosovë”, shtoi ai.

Siç tha Kurti, Serbia dëshiron AKS-në, e cila, sipas tij, “do të ishte shtet i Serbisë brenda Kosovës”.

“Qëllimi i tyre është destruktiv, ata nuk duan asgjë për serbët e Kosovës, duan diçka kundër nesh. Beogradi që thotë se Kosova është shtet i rremë, ndërsa kërkojnë AKS-në, nuk janë seriozë. Nëse do të donin një asociacion të komunave serbe, fillimisht do ta njihnin Kosovën. Ata duan që AKS-ja të mos funksionojë në Kosovë”.

“Por ne jemi një histori suksesi falë ndërhyrjes së NATO-s dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E dini, në vitin 1999, 19 shtete duhej të ndërhynin kundër Sllobodan Millosheviqit për të parandaluar gjenocidin në Kosovë”, përfundoi kryeministri Albin Kurti.

Go to TOP