9 shkurti vetëm fillimi: si do të riformatohet skena politike?
Shkruan: Shenoll MUHARrEMI
Këto zgjedhje nuk janë përcaktuese apo ‘tektonike’ si ato të vitit 2021. Sistemi po korrektohet më 9 shkurt, po balancohet një sistem që ishte asimetrik, ku pushteti ishte i koncentruar në një parti e 2-3 persona. Loja e vërtetë fillon pas 9 shkurtit.
Vetëvendosje, që ishte rritur 340% për disa vite (një rritje kjo përtej kulmit, deri në qiell) u tregua lakmitare: “Dua ende, më shumë se kaq!”. Ajo kërkoi 15% më shumë për të arritur në 500 mijë vota përkrahje dhe gjithashtu kërkonte 70%. Ironikisht, këtë e bënte pa u lodhur as me një ofertë apo program elektoral për mandatin e ardhshëm. Disa zotime aty në mes të fushatës dhe mjafton me aq!
Me këtë plan “Dua 500k vota, 70%”, LVV po synonte diçka utopike, si psh të fitonte 80 mijë vota nga rreth 100,000 në Prishtinë, apo si rasti dje në Gjakovë, 30,000 vota nga rreth potencialisht 42,000 gjithsej. Po sillej sikur të ishte vet, si një biznes që e bën planin dhe strategjinë pa e vlerësuar konkurrencën dhe ndikimet e tregut.
Rezultatet nga qeverisja 4-5 vjeçare nuk sugjerojnë as 200 mijë vota, e lëre më 500 mijë. Por, falë nivelit bazë të lartë në vitin 2021 dhe faktit që ende disa ‘komandantë’ janë në skenën zgjedhore, LVV ka potencialin të arrijë rreth 300 mijë vota. Dallimi është tepër i thellë mes 300 mijë dhe 500 mijë.
Por ky nuk do të jetë fundi i tkurrjes. Kosova ka një zonë të fuqishme të gravitetit elektoral që i tërheq dhe i shtyn partitë rreth zonës së 200 mijë votave. Kudo që shkon, kthehesh aty disi. Zonën G-200 e brendova para disa ditësh, sepse këtu të gjitha partitë e mëdha janë përplasur dhe kanë gravituar. E LVV, me këtë qasje të lakmisë e jo të reformave të saj, rrezikon të vazhdojë tkurrjen dhe korrektimin pas 9 shkurtit.
Kur elektorati dhe publiku i Kosovës të zgjohen më 10 shkurt dhe të shohin rezultate tepër larg 500 mijëshit të premtuar, ata do të shokohen. Strategjia e LVV-së në zgjedhje ka bërë dëme të pariparueshme, përtej fushatës elektorale tani. Kur njerëzit shohin një atmosferë ‘mortore’ në kampin e LVV-së, me kaq shumë vota më pak, ata do të dekurajohen më tutje.
Kështu që, pas 9 shkurtit, elektorati do të fillojë të rikrijojë preferencat e tij. Sidomos elektorati i LVV-së do të shkundet dhe do të traumatizohet. Kjo mund të çojë në një ‘panik-largimi’. Njerëzit nuk dëshirojnë të jenë pjesë e humbjes. Ironikisht, strategjia politike dhe elektorale e LVV-së e ka kthyer atë nga një fitues me rreth 100 mijë vota më tepër sesa partia e dytë, në një humbës të zgjedhjeve.
E kjo situatë sugjeron se tkurrja e LVV-së nuk do të ndalet, përkundrazi, do të thellohet pas 9 shkurtit. Pavarësisht nëse LVV është në pushtet apo del taktikisht në opozitë më 9 shkurt me planifikimin se do të ketë zgjedhje të tjera pas një viti, ata nuk do të vazhdojnë të rriten. Graviteti dhe strategjia e tyre po i tërheq drejt zonës G-200.
200 mijë potencialisht në vitin 2026/2027 do të jetë shoku i vërtetë i LVV-së. Tani, në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të mërziten më shumë sepse projekcionet e tyre do të dalin iluzore. Do të jetë më shumë ‘depresion’ sesa ‘shokim’.
E aty, tek niveli 200 mijë në vitet 2026/2027, LVV do të ketë një mundësi të re. Ose do të adaptohet dhe reformohet për t’u përshtatur me nevojat e së ardhmes (e jo të Lidhjes së Prizrenit), ose do të shkatërrohet dhe do të mbetet një parti e vogël. Sidomos në ato vite, LDK ka potencial të madh për të dominuar politikën në Kosovë. Ndërsa, nëse Memli Krasniqi vazhdon reformat dhe sakrifikon të kaluarën për të ardhmen, konkurrenca politike e Albin Kurtit dhe LVV-së do të jetë tepër agresive.
Kjo që do të shohim më 9 shkurt nuk është përcaktuese as tektonike, është vetëm fillimi. Këtu do të konfirmohen indikatorët e drejtimeve dhe do të përcaktohet thellësia e rritjeve dhe tkurrjeve drejt G-Zone 200 të tri partive kryesore. Vetëm pas 9 shkurtit fillon gara më agresive, e cila do të sjellë ndryshimin e madh. Aty të tri partitë kanë gjasa, por varet nga strategjia e tyre dhe sa do të mësojnë nga gabimet e tyre.
Pas zgjedhjeve, fati dhe yjet duket se e favorizojnë LDK-në, e cila do të shpërblehet pas 9 shkurtit, kur të konfirmohet rritja dhe rikthimi i saj drejt një kahu pozitiv. Edhe PDK do të fitojë besim për të garuar për vendin e parë, pasiqë do të rritet dhe do komfirmohet metoda e Krasniqit. Por duhet të sakrifikoj ‘komandantët’ të cilët duhet të pensionohen nga politika dhe t’i lejojnë frymës së re të dominojë partinë.
Gara politike në Kosovë do të fillojë pas zgjedhjeve dhe do të jetë interesante dhe intensive. Albin Kurti më nuk do të përballet me klasën e vjetër politike, por me një grup që fokusohet në projekte, programe dhe zhvillim. Në këto zgjedhje, ai është gjetur i hutuar dhe nuk ka pasur një qasje të qartë se si të garojë me ta. Ka dalë me ‘duar në xhepa’ dhe me retorikë agresive e negative. Kjo ‘krizë’ do të thellohet në vitet e ardhshme dhe, nëse LVV nuk transformohet, rrezikon të mbetet një parti e vogël deri në vitin 2030.
Zgjedhjet e ardhshme, jo këto tani, janë ato me potencial të madh dhe ndoshta më të rëndësishmet në historinë e re elektorale të Kosovës.
