870 euro për karburante, Duda Balje: Nuk jetoj në Prishtinë, udhëtoj çdo ditë

Deputetja Duda Balje ka folurpër shpenzimet e deputetëve për karburant, ku shpjegoi procedurën e financimit. Siç u bë e ditur, Balje për muajt nëntor-dhjetor të vitit të kaluar ka marrë 870 euro për shpenzimet për karburant. 

“Secili deputet që udhëton në një drejtim 30 kilometra kanë pagesa 10 euro, nëse udhëtojnë deri në 60 kilometra marrin 20 euro, dhe nëse janë larg prej Kuvendit më shumë se 60 kilometra marrin nga 30 euro, praktikisht si mëditje për shpenzimet e udhëtimit”, tha Balje.

“Ne jemi 13 deputetë nga Prizreni, jemi më larg se 60 kilometra në një drejtim, dhe marrim nga 30 euro për prezencë në komision dhe seanca. A është e drejtë apo jo nuk varet prej meje, unë nuk kam marrë as më shumë as më pak se sa kam qenë prezentë në komisione apo seanca”, u shpreh tutje deputetja.

Megjithatë, Balje tha se pagesa nuk është e njëjtë për të gjithë deputetët, por se varet nga prezenca në seanca dhe komisione.

“Varet nga sa kemi qenë aktivë. Këto pagesa mund të merren vetëm me nënshkrim, ku vërtetohet prezenca në seancë apo komision”, theksoi Balje.

Ndërkohë, Balje bëri të ditur se janë në fazën e ndryshimit të rregullores, dhe nëse deputetët janë pro ndryshimit, edhe ajo do të jetë e të njëjtit mendim.

“Unë nuk jetoj në Prishtinë, udhëtoj çdo ditë, por nëse ka të tillë që jetojnë në Prishtinë dhe marrin paratë nuk është në rregull”, u shpreh Balje.

Go to TOP