28 vjet nga vrasja e Ardian Qarrit – kujtesë e një jete të prerë padrejtësisht në Kamenicë
Ardian Qarri, një djalë i ri dhe i pafajshëm nga Kamenica, u vra më 28 janar 1998, rreth orës 21:00, nga një oficer i policisë serbe, i cili e qëlloi për vdekje në kokë me armë zyrtare, ndërsa Ardiani po siguronte bukën e gojës duke shitur cigare në qendër të qytetit. Ajo natë ishte natë Bajrami – një natë që duhej të ishte feste, por që u shndërrua në dhimbje të madhe për familjen, miqtë dhe gjithë Kosovën.
Faton Krasniqi, shoku i tij i klasës për dy vite me radhë, ka kujtuar Ardianin si një djalë të thjeshtë dhe të dashur. Ai tregon se atë ditë, rreth orës 14:00, ishin takuar si zakonisht para Shtëpisë së Mallrave në Kamenicë. Vetëm pak orë më vonë, qyteti u trondit nga krismat e armëve dhe lajmi i rëndë se Ardian Qarri ishte vrarë nga një polic serb.
Fotografia e realizuar më 28 janar 1998 dëshmon dhimbjen dhe revoltën e asaj kohe: shokët dhe shoqet e gjeneratës së Shkollës së Mesme të Mjekësisë parakalojnë në heshtje pranë vendit ku u vra Ardiani duke bërë një homazh të thjeshtë, por të thellë, për jetën e tij të ndërprerë padrejtësisht dhe për kujtesën që nuk shuhet kurrë.
Sipas gazetave të kohës, në varrimin e Ardian Qarr-it morën pjesë mbi 100 mijë qytetarë nga mbarë Kosova duke e kthyer atë në një simbol të dhimbjes kolektive dhe të padrejtësive të asaj periudhe të errët.
Qoftë i paharruar kujtimi për Ardian Qarr-in. /Kosova.info/
