20-vjet të KOSTT-it, Kurti: Një prej tregimeve të suksesshme të institucioneve shtetërore
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e 20-vjetorin e themelimit të Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut – KOSTT.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se themelimi i KOSTT-it në vitin 2006 ishte një moment vendimtar në reformimin dhe modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë.
“Ky ishte fillimi i ndërtimit të një institucioni të pavarur, profesional dhe të besueshëm, me përgjegjësi thelbësore për sigurinë e sistemit elektroenergjetik, funksionimin e tregut të energjisë elektrike dhe integrimin e sistemit të Kosovës në ato rajonale dhe evropiane.Sot, 20 vjet më vonë, mund të themi se KOSTT-i është një prej tregimeve të suksesshme të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri në detyrë Kurti.
Ai më tej shtoi se në vitin 2020, hyrja në fuqi e Marrëveshjes së re të Kyçjes me ENTSO-E dhe fillimi i operimit të KOSTT-it si zonë e pavarur rregulluese, e menjëherë më pas dy muaj më vonë edhe në kuadër të Bllokut Rregullues Kosovë–Shqipëri, përfaqësuan një arritje historike për vendin tonë.
Kryeministri po ashtu tha se në vazhdën e këtyre zhvillimeve, marrja nën kontroll operacional nga KOSTT-i i Nënstacionit Vallaç përfaqëson një moment të rëndësishëm në konsolidimin e funksionimit unik të sistemit elektroenergjetik të Kosovës.
Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:
E nderuara znj. Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë,
I nderuar z. Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji,
I nderuari z. Gëzim Tosuni, kryesues i Bordit të KOSTT-it,
I nderuari z. Trim Tërnava, kryeshef Ekzekutiv i KOSTT-it,
Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve të shtetit,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të shteteve mike në Republikën tonë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë që jemi sot së bashku për të shënuar 20-vjetorin e themelimit të Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut – KOSTT. U bëtë 20 vjeç. Që do të thotë se ende jeni të rinj por edhe me përvojë tani.
Ishin mbresëlënëse për të tashmen e sigurisht shpresëdhënëse për të ardhmen të gjitha këto të arritura të cilat na u prezantuan në këtë video paraprake, andaj gëzuar të gjithëve!
Themelimi i KOSTT-it në vitin 2006 përfaqësoi një moment vendimtar në reformimin dhe modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë. Ai shënoi fillimin e ndërtimit të një institucioni të pavarur, profesional dhe të besueshëm, me përgjegjësi thelbësore për sigurinë e sistemit elektroenergjetik, funksionimin e tregut të energjisë elektrike dhe integrimin e sistemit të Kosovës në ato rajonale dhe evropiane.
Sot, 20 vjet më vonë, mund të themi se KOSTT-i është një prej tregimeve të suksesshme të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Gjatë këtyre dy dekadave janë realizuar investime të rëndësishme në linja të transmetimit, transformatorë, nënstacione të reja, sisteme të kontrollit dhe mbikëqyrjes, telekomunikacion, matje dhe mbrojtje. Këto investime kanë rritur kapacitetet e rrjetit, kanë përmirësuar sigurinë e furnizimit dhe kanë krijuar kushtet për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit tonë. E, rëndësia e këtyre investimeve bëhet edhe më e qartë kur shohim zhvillimin e kërkesës për energji elektrike në Kosovë.
Rrjeti i transmetimit nuk është vetëm një çështje teknike. Ai është parakusht për sigurinë energjetike, për zgjerimin e bizneseve, për tërheqjen e investimeve të reja dhe për mirëqenien e qytetarëve tanë.
Vitet e fundit kanë qenë veçanërisht të rëndësishme për forcimin e pavarësisë energjetike të Kosovës.
Në vitin 2020, hyrja në fuqi e Marrëveshjes së re të Kyçjes me ENTSO-E dhe fillimi i operimit të KOSTT-it si zonë e pavarur rregulluese, e menjëherë më pas dy muaj më vonë edhe në kuadër të Bllokut Rregullues Kosovë–Shqipëri, përfaqësuan një arritje historike për vendin tonë.
Këto zhvillime i mundësuan Kosovës që të operojë në mënyrë të pavarur brenda sistemit elektroenergjetik evropian dhe hapën rrugën për një bashkëpunim edhe më të thellë energjetik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Një hap tjetër i rëndësishëm ishte themelimi i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike – ALPEX, nga KOSTT-i dhe OST-ja e Shqipërisë.
Funksionalizimi i Tregut një ditë para dhe bashkimi i tregjeve të Kosovës dhe Shqipërisë kanë krijuar kushtet për një treg më konkurrues, më transparent dhe më të integruar të energjisë elektrike.
Rezultatet e deritanishme tregojnë një rritje të vazhdueshme të aktivitetit dhe besimit të pjesëmarrësve në treg.
Gjatë vitit 2024, në Tregun e Ditës në Avancë apo një Ditë më përpara siç thuhet ndryshe u tregtua një vëllim i përgjithshëm prej 1,172 GWh energji elektrike.
Në vitin 2025, volumi i tregtuar u rrit në 1,670 GWh, që përfaqëson një rritje prej rreth 42.6 për qind, krahasuar me vitin paraprak 2024.
Ky trend pozitiv është përshpejtuar edhe më tej gjatë vitit aktual 2026. Vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti, volumi i tregtuar ka arritur në 1,180 GWh, apo 75.2 për qind më shumë sesa gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.
Këto shifra të nderuar të pranishëm dëshmojnë se tregu i përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë po konsolidohet, po e rrit likuiditetin dhe po shndërrohet në një mekanizëm të rëndësishëm për tregtimin transparent dhe efikas të energjisë elektrike.
Funksionalizimi i Tregut të Ankandeve Brenda-Ditore për zonën e ofertimit të Kosovës dhe bashkimi i këtij tregu me Shqipërinë kanë krijuar mundësi shtesë për pjesëmarrësit që të përshtasin pozicionet e tyre më afër kohës reale.
Këto zhvillime dëshmojnë se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në sektorin energjetik nuk është vetëm një angazhim politik. Ai është një proces konkret dhe i matshëm, i cili rrit praktikisht sigurinë e furnizimit, përmirëson konkurrencën dhe krijon përfitime ekonomike për qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve tona.
Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, marrja nën kontroll operacional nga KOSTT-i i Nënstacionit Vallaç përfaqëson një moment të rëndësishëm në konsolidimin e funksionimit unik të sistemit elektroenergjetik të Kosovës. Ky hap ka forcuar kontrollin operacional të rrjetit të transmetimit, ka rritur sigurinë dhe besueshmërinë e sistemit dhe ka kontribuar në shtrirjen e plotë të operimit të KOSTT-it në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në të njëjtën kohë, Kosova po hyn tash në një fazë të re të tranzicionit energjetik. Integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë, ndërtimi i kapaciteteve të reja solare dhe të erës, instalimi i sistemeve të baterive për akumulimin e energjisë, si dhe modernizimi e rindërtimi i kapaciteteve ekzistuese gjeneruese që sigurojnë furnizimin bazë, do ta transformojnë mënyrën se si prodhojmë, transmetojmë dhe konsumojmë energji.
Marrëveshja për instalimin e sistemit akumulues të energjisë përmes baterive paraqet një hap të madh drejt rritjes së fleksibilitetit të sistemit, përmirësimit të balancimit dhe integrimit të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për ta mbështetur KOSTT-in në modernizimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit të transmetimit. Në vitet e ardhshme, prioritet duhet të mbetet ndërtimi i një rrjeti më të fuqishëm, më fleksibil dhe më inteligjent.
Po ashtu, integrimi rajonal do të mbetet një objektiv strategjik i yni. Zhvillimi i interkoneksioneve të reja me vendet fqinje dhe integrimi i plotë i tregut të Kosovës në tregjet rajonale dhe evropiane të energjisë janë të domosdoshme për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
KOSTT-i nuk është vetëm një rrjet linjash, transformatorësh dhe nënstacionesh. KOSTT-i është, mbi të gjitha, një institucion i ndërtuar dhe i përparuar nga njerëzit e tij. Pra, nga shumë prej jush që punoni në KOSTT, dhe jeni në këtë ditë kremte këtu. Prandaj, në këtë përvjetor, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për KOSTT-in si organizatë e punëtorëve, për të gjithë punonjësit dhe ish-punonjësit e KOSTT-it, inxhinierët, operatorët, teknikët dhe profesionistët e administratës, të cilët për 20 vjet kanë dhënë kontributin e tyre për funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik të Kosovës.
Falënderoj gjithashtu edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, institucionet financiare, operatorët e sistemeve të transmetimit të vendeve partnere dhe të gjitha organizatat të cilët e kanë mbështetur zhvillimin e KOSTT-it dhe integrimin energjetik të Kosovës.
Urime 20-vjetori i KOSTT-it! Ju dëshiroj edhe shumë dekada të tjera me suksese të reja!
Ju faleminderit për ftesën dhe vëmendjen! /Kosova.info/
