LBK me pyetje për ministrin Armend Muja: Kush mban përgjegjësi nëse analizat dalin në rregull?
Lidhja e Bizneseve të Kosovës i është drejtuar me një sërë pyetjesh ministrit në detyrë të Bujqësisë, të Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural, Armend Muja, lidhur me aksionet e fundit të inspektimit në industrinë e qumështit.
Në reagimin e saj, Lidhja thekson se nuk është kundër inspektimeve, përkundrazi i konsideron ato të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit publik, por kërkon që ato të zhvillohen me profesionalizëm, paanshmëri dhe duke respektuar të drejtat e bizneseve që veprojnë në përputhje me ligjin.
Organizata ngre dilema për mënyrën e zhvillimit të aksionit duke pyetur pse u krijua një situatë publike para përfundimit të analizave laboratorike dhe publikimit të rezultateve zyrtare. Sipas saj, nëse produktet rezultojnë në përputhje me standardet, duhet të sqarohet se kush do të mbajë përgjegjësi për dëmtimin e reputacionit të kompanive dhe pasigurinë e krijuar te konsumatorët.
Lidhja e Bizneseve kërkon gjithashtu sqarime për praninë e këshilltares politike të ministrit në vendin e inspektimit, rolin e Komisionit për Udhëzimin Administrativ në aksion dhe arsyen e angazhimit të rreth 20 personave në një proces që, sipas saj, mund të realizohej nga një ekip i zakonshëm inspektues.
Në reagim ngrihen pyetje edhe për trajtimin e produkteve të importuara duke kërkuar të dihet nëse ndaj tyre zbatohen të njëjtat standarde kontrolli si ndaj prodhuesve vendorë.
Në fund, Lidhja e Bizneseve të Kosovës vlerëson se besimi i konsumatorëve nuk ndërtohet me presion publik apo spektakël mediatik, por me transparencë, profesionalizëm dhe vendimmarrje të bazuar në fakte duke kërkuar që çdo dëm i mundshëm ndaj bizneseve të trajtohet me të njëjtën transparencë nëse analizat zyrtare konfirmojnë se produktet janë në përputhje me standardet. /Kosova.info/
