Vetëvendosje prish koalicionin me LDK-në në Dragash

Vetëvendosje në Dragash është tërhequr nga koalicioni me LDK-në, parti kjo që i fitoi zgjedhjet në këtë komunë.

Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media, ku thuhet se kjo ka ndodhur meqë dega e LDK-së sipas VV-së “nuk e ka seriozisht” ndryshimin.

“Meqë dega e LDK-së në Sharr nuk e ka seriozisht ndryshimin dhe shenjë për këtë është shkelja mbi parimet e marrëveshjes që mundësoi ndërrimin e qeverisjes në komunë, nuk ka më kuptim që si Lëvizje VETËVENDOSJE! të përfshihemi në një ekzekutiv të tillë komunal”, thuhet në njoftim.

Kësisoj, Vetëvendosje në këtë komunë do të jetë opozitë.

“Jo se prisnim shumë më ndryshe, por mbështetja jonë, më shumë se sa për fitoren e LDK-së ishte përmbushje e një obligimi ndaj më shumë se 2300 votuesëve të cilët na deleguan përgjegjësi përtej së qëndruarit neutral në periudhën e balotazhit.  Ka shumë punë për ta arritur ndryshimin e vërtetë në komunën tonë. Lëvizja VETËVENDOSJE! në Sharr do të jetë në opozitë përgjatë 4 viteve të ardhshme, duke mbrojtur interesin publik e duke përcjellur me vëmendje secilin hap që do ndjekë qeverisja aktuale”. 

Go to TOP