Vendimi i Kushtetueses për Kamenicën, Nagavci: Aktgjykimi përbën një vlerësim të kufizuar të gjendjes

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me reformën për arsim në Komunën e Kamenicës përbën vlerësim të kufizuar të gjendjes së krijuar.

Sipas saj, situata faktike e krijuar që nga fund-korriku 2021 dhe në vijim, është plotësisht në përputhje me përcaktimin e Aktgjykimit në fjalë, prandaj “MAShTI-i nuk ka nevojë të ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të tillë”.

“Ne respektojmë Aktgjykimin në plotni, ashtu siç e përcakton shkronja dhe fryma e Kushtetutës. Megjithatë, siç është e vërejtshme edhe në vet dispozitivin e Aktgjykimit në fjalë, aty vetëm ‘deklarohet’ një mospërputhje e një gjendjeje faktike që është shuar së ekzistuari në fund të korrikut të vitit 2021. Një fakt i tillë është tregues që Aktgjykimi KO145/21 nuk përcakton asnjë mospërputhje kushtetuese që ekziston aktualisht, apo të tillë që do të duhej t’i ndërpritej pasoja juridike (paragrafi 92 i Aktgjykimit)”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e saj në ‘Facebook’.

Mes tjerash, ajo ka thënë se aktgjykimi është i kufizuar vetëm në vlerësimin e përputhshmërisë formale të vendimit të kontestuar, e jo aspekteve përmbajtjesore të ndërlidhura me të drejtën e fëmijëve në arsim sa i përket ofrimit të detyrueshëm të shkollimit fillor për secilin nxënës në mënyrë të barabartë.

“Vendimi 01B/24 nga MAShTI-i, ishte ndërmarrë me qëllim të përmbushjes së obligimeve pozitive të shtetit të Kosovës sa i përket të drejtave të fëmijëve në Komunën e Kamenicës në raport me ofrimin e shërbimit të mësimit fillor për nxënësit që kishin mbetur për më shumë se dy vite pa mundësinë e ndjekjes së shkollimit publik. Ne kemi përmbushur një obligim që ishte edhe literalisht i përcaktuar në Nenin 3 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar (‘MAShTI-i, komunat, institucionet arsimore […] [janë të obliguara] që të planifikojnë dhe ofrojnë shërbime efikase, efektive, fleksibile, gjithëpërfshirëse dhe profesionale, të dizajnuara për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim […]’). MAShTI-i nuk mund të mos e përmbushte një obligim të tillë pavarësisht faktit që ai mund t’i nënshtrohej kontrollit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese”.

“Pas balancimit të të drejtave dhe detyrimeve të subjekteve të përfshira, mbrojtja e interesit të fëmijëve hyn në kategorinë e obligimeve parësore ligjore. Theksi i shkronjës së ligjit në fjalë ishte eksplicit sa i përket detyrimit tonë për të ndërmarrë masa ndaj kërkesave të nxënësve/prindërve të tyre. Përmbushjen e një obligimi të tillë MAShTI-i e ka bërë pa paragjykim ndaj të drejtës së kujtdo për të kërkuar rishikimin e Vendimit të tillë nga një instancë gjyqësore, që është një proces krejtësisht normal në një demokraci liberale”, ka shkruar tutje ministrja.

Të premten, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e MASHT-it për organizimin e shkollave, duke thënë se nuk ka qenë kompetencë e kësaj ministrie dhe se me këtë vendim është cenuar përgjegjësia komunale. “Ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në vendim.

Rasti ndërlidhej me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës më 2019, që ishte iniciuar përmes vendimet të kryetarit të komunës me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore. Por, me pakënaqësinë e disa prindërve të nxënësve të afektuar që refuzuan zbatimin e vendimeve të komunës, më 2021 MASHTI formoi një komision për vlerësimin e mosvijueshmërisë së mësimit nga ana e 441 nxënësve, ku kishte rekomanduar që për të adresuar situatën, MASHTI dhe Komuna duhet të ndërmarrin veprime të harmonizuara dhe të themelojnë grup punues për analizimin e situatës në shkolla.

Go to TOP