Udhëheqësit perëndimorë shfaqin unitet kundër kërcënimit të Rusisë në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se ka “unanimitet të plotë” me liderët evropianë lidhur me grumbullimin e trupave ruse në kufirin me Ukrainën.

Sipas medieve të huaja, presidenti Biden zhvilloi një video-telefonatë me aleatët evropianë të hënën, ndërsa fuqitë perëndimore synojnë një strategji të përbashkët kundër veprimeve të Rusisë.

Mbretëria e Bashkuar ka paralajmëruar Rusinë për sanksione “të shpejta” dhe “të pashembullta” nëse ndodh një inkursion.

Por Rusia mohon planet për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht se grumbullon rreth 100,000 ushtarë.

Të bashkuar me SHBA-në dhe MB-në në thirrje ishin liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe BE-së. Gjithashtu bisedës iu bashkua edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Kam pasur një takim shumë, shumë, shumë të mirë – unanimitet total me të gjithë liderët evropianë”, citohet të ketë thënë Biden më pas.

Siç vë në pah BBC, nëse ndodh një inkursion i mëtejshëm rus në Ukrainë, udhëheqësit ranë dakord se “aleatët duhet të marrin përgjigje të shpejta ndëshkuese, duke përfshirë një paketë të paprecedentë sanksionesh”.

Më herët të hënën, Pentagoni tha se rreth 8,500 trupa amerikane të gatshme për luftim janë në gatishmëri të lartë për t’u vendosur – në një njoftim të shkurtër.

Por ato do të vendosen vetëm nëse aleanca ushtarake e NATO-s vendos të aktivizojë një forcë të reagimit të shpejtë, “ose nëse zhvillohen situata të tjera” rreth ngritjes së trupave ruse, tha sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby.

Nuk ka plane për t’u vendosur në Ukrainë, shtoi ai.

Disa anëtarë të NATO-s, duke përfshirë Danimarkën, Spanjën, Francën dhe Holandën, tashmë po planifikojnë ose po shqyrtojnë dërgimin e avionëve luftarakë dhe anijeve luftarake në Evropën Lindore për të forcuar mbrojtjen në rajon.

Ndërkohë, gjatë fundjavës, rreth 90 ton “ndihmë vdekjeprurëse” amerikane duke përfshirë municione për “mbrojtësit e vijës së parë” mbërritën në Ukrainë.

Go to TOP