U raportua se dha dorëheqje pas sulmit ndaj mediave, MPJ deklarohet rreth diplomatit Prindon Sadriu

Dje u raportua se burri i Presidentes, Prindon Sadriu, ka dhënë dorëheqje nga pozitat e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pas skandalit që shkaktoi duke i etiketuar mediat si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’.  Në një përgjigje Ministria e Punëve të Jashtme e ka demantuar lajmin.

Sipas një lajmi të publikuar dje në disa prej mediave, bashkëshorti i Presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, ka dhënë dorëheqje nga pozita e të ngarkuarit me punë si shef i misionit diplomatik të Kosovës në Maqedoni.

Por, Sadriu nuk ka dhënë kurrfarë dorëheqje nga pozitat që ai bart në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, thonë nga ky dikaster.

“Diplomati Prindon Sadriu nuk ka dhënë asnjëherë dorëheqje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Lajmi është i pa vërtet”, thonë në MPJD.

Në njoftimin, që pretendohej se Sadriu e ka dorëzuar në ministri, shkruhej se vendimin për dorëheqje e ka marrë pas sulmeve personale që ai dhe bashkëshortja e tij konsideron se i ka pasur nga disa media elektronike dhe “analistët e punësuar në këto media”.

Aty thuhet se ai do të mbajë detyrën që bart në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa do ta lë secilin angazhim që e ka në MPJD.

“Heshtja e MPJD-së për të mos mbrojtur figurën time dhe familjen tonë, më ka shtyrë edhe më shumë për këtë vendim”, thuhet në letrën që po supozohet se është dorëheqja e Sadriut.

Diplomati kosovar ka nxitur reagime në vend dhe jashtë, pasi në disa postime në Facebook ka quajtur mediat “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”, pasi mediat ripublikuan shpenzimet e Osmanit, sa ka qenë deputete e Kuvendit. Shpenzimet për të cilat Sadiu sulmoi mediat, ishin publikuar nga Kuvendi fillimisht.

Për sulmet e Zotëriut të Parë kanë reaguar edhe përfaqësues dhe organizata ndërkombëtare, duke e konsideruar si kampanjë denigruese ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë.

Pas kësaj, Sadriu fshiu një nga postimet ku ua kishte dhënë këtë epitet mediave, por i mbeten të publikuara edhe disa të tjerë.

Ndonëse, postimet e burrit të saj ishin ripublikuar, Presidentja e Kosovës në një intervistë të sajën në televizionin publik ka mohuar se burri i saj i ka quajtur mediat ‘ndërmarrje të përbashkëta kriminale’. Intervistueses dhe të tjerëve u ka thënë se nuk po dinë ta lexojnë mirë atë që e shkruan bashkëshorti i saj në Facebook.  

Go to TOP