U mbajt mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Podujevës

Kuvendi i Komunës së Podujevës mbajti mbledhjen inauguruese në të cilën dhanë betimin kryetari i rizgjedhur i komunës, Shpejtim Bulliqi dhe anëtarët e rinj të kuvendit.

Seancën inauguruese të kuvendit e udhëhoqi, anëtari më i moshuar, Ilmi Hoxha.

Pas betimit solemn dhe nënshkrimit të deklaratës, para asambleistëve dhe musafirëve prezent fjalë rasti mbajti kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi.

Me këtë rast kryetari Bulliqi uroj kuvendarët e rinj për mandatin dhe legjislaturën e kaluar për bashkëpunimin.

“Dua ta filloj duke ju uruar mandatin të gjithë juve të nderuar asamblistë, që keni fituar besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar ata në kuvend, po ashtu dua t’i falënderoj asamblistët e mandatit të kaluar për bashkëpunimin e mirë që kemi pasur” tha kryetari Bulliqi.

Tutje ai tha se “Si kryetar i Komunës, unë ua shtrij dorën e bashkëpunimit të gjithë juve, pa dallim partie, që të punojmë bashkërisht e të shtyjmë përpara projektet që zhvillojnë komunën dhe mbrojnë interesat e përgjithshme”.

“Pra më është besuar detyra të udhëheq një komunë që ashtu siç e ka dashur puna dhe detyra e atdheut tonë, gjithmonë i është përgjigjur siç është më së miri. Pra një komunë e regjion me një traditë e identitet të fuqishëm kombëtar e kolektiv të dëshmuar në çdo rrethanë” tha kryetari Bulliqi.

Më tej kryetari ai tha se “Sot zotohem para llapjanëve që zyra e kryetarit të komunës do të udhëhiqet nga parimi i gjithëpërfshirjes dhe trajtimit të barabartë sipas ligjit. Shërbimi për qytetarët dhe ndaj qytetarëve do të jetë detyrë e jona e përditshme”.

Ai ka ftuar kuadrot llapjanë që të jenë pjesë aktive dhe të japin kontribut në mirëqeverisjen e komunës.

“Nga këtu ju bëj thirrje qytetarëve, të rinjve dhe kuadrove të shumta që ka Llapi, të cilët kanë vullnetin, gatishmërinë dhe idealin për të kontribuar me ide apo çfarëdo lloj ndihme për komunën e tyre, të na drejtohen, të na bashkohen dhe të na ndihmojnë” tha kryetari Bulliqi.​

Në fund, ai u zotua se Komuna e Podujevës do t’i mirëpres, dëgjojë e sigurojë bashkëpunim e bashkëveprim korrekt me të gjithë, pa asnjë dallim, a diskriminim.

Pas përfundimit të seancës solemne, kryetari Bulliqi së bashkë me asamblistë dhe përfaqësuesit e Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe të Kompleksi Memorial në fshatin Penuhë.

Kuvendi i komunës i Podujevës në mandatin ardhshëm përfaqësohet nga këshilltarë prej pesë subjekteve politike. Lidhjen Demokratike të Kosovës e përfaqësojnë 14 këshilltarë, Lëvizjen Vetëvendosje 13 këshilltarë, Partinë Demokratike të Kosovës 4 këshilltarë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës 3 këshilltarë dhe Ballin Kombëtar Demokrat 1 këshilltar. /Kosova.info/

Go to TOP