Triumf sensacional i Arsenalit me rikthim ndaj Wolverhamptonit

Arsenali ka bërë një rikthim sensacional ndaj Wolverhampton Wanderers në Emirates Stadium (2-1) duke realizuar dy gola të vonshëm në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 26-të në Ligën Premier, edhe pse gjatë pjesës më të madhe të takimit ishte në disavantazh.

Mysafirët e futën topin në rrjetë që në minutën e gjashtë të takimit përmes Romain Saiss, mirëpo pas konsultimit të VAR-it, gjyqtari Martin Atkinson e anuloi për pozitë jashtë loje.

Porse në minutën e 10-të, Hee-Chan Hwang përfitoi nga një gabim i mbrojtjes vendase, e rrëmbeu topin para portierit dhe realizoi gol.

Gabriel Martinelli nuk e shfrytëzoi si duhet një top pasim të Alexandre Lacazette për të shënuar, ndërsa në fund të fraksionit të parë, Raul Jimenez goditi jashtë me kokë.

Hwang pati një mundësi tjetër në fillim të pjesës së dytë, derisa portieri Jose Sa ia mohoi golin Lacazettes në anën tjetër.

Shifrat u barazuan në minutën e 82-të. Eddie Nketiah tregoi vizionin e tij duke e gjetur në zonë Nicolas Pepes, goditja e të cilit ishte e saktë.

Ishte sërish angazhimi i Pepe, i cili asistoi në golin e dytë dhe të fitores që e shënoi Alexandre Lacazette në minutat shtesë (90’+5).

Falë këtij triumfi, Arsenali i është afruar me vetëm një pikë pozitës së katërt (që mbahet nga Manchester Unitedi) dhe ka dy ndeshje më pak të zhvilluara. Wolverhampton Wanderers (40 pikë) mbetet në vend të shtatë në renditje.

Go to TOP