Takimi me Mickovskin ndez përçarje mes partnerëve shqiptarë të koalicionit
Pas një takimi të mbyllur me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickovski, përplasjet mes Aleancës për Shqiptarët dhe VLEN-it dolën në pah publikisht. Ironia e Taravarit u kundërshtua nga funksionarët e VLEN-it, ndërsa Izet Mexhiti foli për “fikje të dritave të hipokrizisë”. Aleanca e Taravarit kërkon rol real në qeveri, jo simbolik.
Pas takimit që u zhvillua mbrëmjen e së martës mes partnerëve të kolicionit VLEN dhe kryeministrit Hristian Mickovski, Qeveria zyrtarisht nuk dha hollësi për atë se çka u bisedua. Reagimet pas këtij takimi kanë qenë të menjëhershme, kurse i pari që ironizoi pas këtij takimi ishte kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, me një status në rrjetet sociale ” S’ia vlen”.
Funksionarë e simpatizantë të VLEN nga ana tjetër, me kundërpërgjigje; “megjithatë, ia VLEN”.
Zeqirija Ibrahimi në postimin e tij, shkruan se nuk mund të jetë aleatë i tyre dhe i kësaj qeverie asnjë nga vegëzat e BDI-së që është e kapur në rrjetin e krimit.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti nga ana tjetër shkroi në Facebook se po i fikën dritat hipokrizisë.
“Të ftuam të bëhesh bartës i ndryshimit. U bëre simbol i Revolucionit të dritave. Edhe pse humbës në qytetin tënd, shpërndaje “Efridol” për BDI-në. Euforia jote paska qenë vetëm sa për kamerë. Asgjë e sinqertë. Asnjë dritë e vërtetë. Sonte VLEN vendosi, dritat fiken për hipokrizinë. Dyfytyrësia, nuk ia VLEN!”,ka shkruar Mexhiti
Pas këtyre zhvillimeve është mbledhur në një takim kryesia e Aleancës për Shqiptarët, e cila përmes një kumtese ka theksuar se kjo parti nuk është dekor politik, por faktor kyç në qeverisje me parime të qarta.
Problemet në koalicionin VLEN u shfaqën pas deklarimit të kreut të ASH-së, Arben Taravari, se partia e tij do të garojë ndaras me listat për këshilltar në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë.
