Sveçla thotë se bllokadat në pikat kufitare janë hequr nga serbët
Autoritetet në Kosovë thanë të shtunën pasdite se të gjitha vendkalimet kufitare me Serbinë janë rihapur pas njoftimeve që grupe qytetarësh serbë tashmë kanë hequr bllokadat e vendosura një ditë më parë.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla shkroi në rrjetet sociale se “pas njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”.
Një grup qytetarësh nga Serbia të premten filloi bllokimin e disa rrugëve që çojnë në vendkalimet kufitare me Kosovën, duke kërkuar tërheqjen e forcave të policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e institucioneve serbe të mbyllura nga autoritetet e Prishtinës.
Protestuesit vendosën makina në mes të rrugës afër vendkalimeve në Merdarë dhe Bërnjak, duke i kthyer prapa udhëtarët me dokumente të Kosovës.
Organizatorët thanë se bllokimi është përgjigje ndaj masave të vendosura nga autoritetet e Prishtinës për serbët e Kosovës.
Kjo çoi në vendimin e autoriteteve në Kosovë që të mbyllin dy vendkalime kufitare në Bërnjak në veri të vendit dhe Merdarë për shkak të pengesave me të cilat po përballen qytetarët.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani akuzoi të shtunën Serbinë se, siç tha, përmes bandave kriminale po kryen sulme ndaj lëvizjes së lirë, ndërsa theksoi se bllokimi i rrugëve nga grupe qytetarësh në Serbi ka për qëllim të krijojë tensione dhe të destabilizojë Kosovën.
“Këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, të cilat në mënyrë të veçantë kanë tentuar të terrorizojnë qytetarët shqiptarë të cilit donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare, kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë. Por, në të njëjtën kohë e tregojnë lidhshmërinë e drejtpërdrejt ndërmjet shtetit serb dhe bandave kriminale që i kanë organizuar këto bllokada”, tha presidentja Osmani.
Zyrtarët në Beograd nuk i kanë komentuar bllokadat.
“I bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe të cilat kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”, tha presidentja Vjosa Osmani.
Bllokimi pasoi operacionin e 30 gushtit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri, në një veprim që nxiti kritika nga diplomacia perëndimore.
Autoritetet në Kosovë thanë se komunat paralele serbe në veri, “kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Operacioni nxiti reagimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politik serbë në veri.
Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme. Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur. /Kosova.info/
Comments