Supremja refuzon ankesën e Driton Muharremit që dha dorëheqje sot nga pozita e gjyqtarit

Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e gjyqtarit Driton Muharremi pas degradimit në pozitë.

Kolegji i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 20 dhjetor 2021 ka vlerësuar se qëndrimi dhe përfundimi juridik i KGJK-së, është i drejtë dhe i ligjshëm, dhe se masa disiplinore e shqiptuar është proporcionale me shkeljen e konsumuar.

Ndërkohë, gjyqtari Driton Muharremi ka konfirmuar se ka dhënë dorëheqje nga sistemi gjyqësor i Kosovës.

Kjo pasi sipas tij, ai është i zhgënjyer me vendimin për transferim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Kam kontribuar për 20 vjet në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe jam thellësisht i zhgënjyer me vendimin e Këshillit Gjyqësor për transferimin tim në Gjykatën Themelore, sepse është vendim skandaloz dhe i pabazuar. Prej sot për mua fillon një kapitull i ri në jetën time profesionale dhe akademike”, ka thënë Muharremi.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Supreme refuzon ankesën e gjyqtarit D.M., lidhur me degradimin në pozitë

Prishtinë, 24 dhjetor 2021 – Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, D.M., të ushtruar kundër vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për shkak të shqiptimit të masës disiplinore, “Transferim i përhershëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm”.

Kolegji i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 20 dhjetor 2021 ka vlerësuar se qëndrimi dhe përfundimi juridik i KGJK-së, është i drejtë dhe i ligjshëm, dhe se masa disiplinore e shqiptuar është proporcionale me shkeljen e konsumuar.

Gjykata Supreme përmes vendimit të saj AA nr. 85/2021 konsideron se është zbatuar procedura e paraparë sipas ligjit në fuqi dhe masa e dhënë është në përputhje me parimin e proporcionalitetit duke marrë parasysh: seriozitetin e shkeljeve disiplinore të kryera nga gjyqtari, pasojat e shkeljes disiplinore dhe rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore.​

Go to TOP