Sulmi i rëndë ndaj portierit të Ballkanit nga tifozët e Gjilanit, reagon kryetari Alban Hyseni

Gjilani dhe Ballkani sot janë ballafaquar në një ndeshje të ashtuquajtur “futbolli”, pasi ajo u kthye në një ndeshje midis tifozëve dhe lojtarëve që mund të kishte rezultuar fatale për portierin e Ballkanit, Stivi Frashëri.

Tifozët u futën në fushën e lojës dhe e sulmuan portjerin e Ballkanit, duke e lënë pa ndjenja për rreth 20 minuta, ndërsa nga Spitali i Gjilanit kanë raportuar se ai është jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni i cili tha se kjo ishte prej ndeshjeve më të mira të sezonit në futbollin Kosovar derisa filloi përleshja në fushë.

Ai ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur sot dhe ka thënë se skena të tilla nuk duhet të shihen askund e aq më tepër në sport.

Ky është postimi i tij:

Në Gjilan po zhvillohej sot njëra prej ndeshjeve më të mira të sezonit në futbollin tonë. Gjilani përballë Ballkanit të Suharekës në ndeshjen përcaktuese për titull. Gjithçka shkoi për së mbari deri në momentin kur filloi përleshja ne fushë, për më keq u sulmua edhe portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri.

Shpreh keqardhjen time për këtë që ndodhi sot në Gjilan dhe Frashërit i uroj shërim të shpejtë.

Skena të tilla nuk duhet të shohim askund, aq më tepër në sport. 

Go to TOP