Situatë dramatike me bartjen e kufomave: QKUK thotë se së shpejti do të pajisen me automjeteve

QKUK-së i mungojnë mjetet e motorizuara për bartje e kufomave deri në morg. Pothuaj shumica e të vdekurve barten me barela rrotat e së cilave rënkojnë, teksa lëvizin përmes rrugës dhe trotuareve të rëndomta. Në QKUK thonë se së shpejti do të pajisen me automjete të duhura.

Z.B javë më parë, pas marrjes së lajmit për vdekjen e bashkëshortes së xhaxhait të saj, nga Mitrovica, kishte shkuar në një nga klinikat e QKUK-së ku e ndjera ishte shtrirë. Duke pasur parasysh kohën, ishte vendosur që e ndjera të dërgohej në morg të QKUK-së, deri të nesërmen. Por, ishte skandaloze jo vetëm për familjarët dhe vetë dinjitetin e të ndjerës, e cila u dërgua në morg me barelë, rrotat e së cilës rënkonin, teksa lëvize rrugëve dhe trotuareve brenda hapësirës së QKUK-së, e të mos flitet për kalimtar të rastit që ngjallin emocione të pakëndshme. Shumë vite më herët ekzistonin makina të QKUK-së për bartjen e kufomave, por tani nuk ekzistojnë. Jashtë oborrit të QKUK-së ka makina private që transportojnë kufomat dhe pavarësisht nga distanca çmimi sillet 70 euro brenda perimetrit të qytetit.

Zyra për informim e QKUK-së kanë pranuar mungesën e makinave me premtimin se së shpejti do të pajisen me automjete adekuate.

“Në rastet e vdekjeve të pacientëve që ndodhin nëpër klinikat e QKUK-së, kufomat e të cilëve do të vendosen përkohësisht në Morg, së shpejti do të transportohen me mjet transportues adekuat, për bartjen e kufomave në kuadër të QKUK-së. Është duke u punuar për hartimin e procedurës standarde operative, në bazë të të cilit do të veprohet”, theksoi zyra për informim e QKUK-së në një deklaratë për Kosova.info.

Jo vetëm sa i përket transportit të kufomave, shëndetësia mbetet në një pozitë të dëshpëruar. Po të kthejmë kokën pas, që nga pluralizmi politik në vend shëndetësia ka mbetur gjithmonë jashtë dore.

Veç fjalës investim, asnjë nga krerët e ministrisë nuk kanë pasur ekspertizën e duhur dhe nuk kanë folur asnjëherë të vetme edhe për ngritjen profesionale brenda institucionit më të lartë të shëndetësisë.

Ndërsa një tjetër problem është edhe higjiena, ku pacientët sidomos ata që i nënshtrohen operacioneve rrezikohen nga papastërtia adekuate dhe dezinfektimet e kohëpaskohshme të hapësirave.

Vetëm gjatë këtij viti me javë është punuar në një nga sallat e operacionit pa ndonjë izolim adekuat, teksa pluhuri arrinte në katin e sipërm të sallave tjera të operacionit. Kjo nënkupton që QKUK nuk respekton protokollet e duhura.

Sa për holle mjafton një vështrim që në hyrje për të parë se në çfarë niveli është pastërtia, por edhe shtretërit e pacientëve shumë, prej të cilave i ka kapur ndryshku dhe me defekte.

Për fat të keq, nuk aplikohen as obduksionet për shkaqet e vdekjes së pacientëve, me arsyetimet se familjarët nuk kanë dashur, ndërkohë që me ligj janë të obliguar për një gjë të tillë. Shumë nga pacientët që kanë përfunduar në QKUK si pasojë e aksidenteve të ndryshme, kanë ndërruar jetë pas disa javëve. A është në pyetje mungesa profesionale e trajtimit apo diçka tjetër, nuk dihet.

Nën zë disa mjekë me stazh të gjatë pune të kontaktuar nga media pohojnë se sot mund të regjistrohet në mjekësi dhe të diplomohet kushdo. Por sipas tyre duhet të futen disa teste para provimeve pranuese dhe të ekzaminohet profili psikologjik i mjekëve dhe i punonjësve të shëndetësisë së ardhshme, pasi është një gjë shumë delikate, profesion i ndjeshëm sepse shpesh veçohet dallimi mes jetës dhe vdekjes. /Kosova.info/

Go to TOP