Publikohet vendimi, gjykata: Policia nuk i dërgoi personalisht ftesë Dardan Molliqajt

Partia Socialdemokrate ka publikuar vendimin e gjykatës për kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj, ku pretendohet se ai është arrestuar kundërligjshëm.

Me anë të një komunikate për media, PSD ka thënë se gjykata ka vërtetuar se arrestimi ka ndodhur pa urdhërarrest.

Po ashtu, sipas gjykatës ftesat e policisë nuk janë dorëzuar në bazë të dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale.

Njoftimi i plotë nga PSD:

KRYETARI I PSD-SË DARDAN MOLLIQAJ U PRIVUA NGA LIRIA KUNDËRLIGJSHËM!

Ky është aktvendimi i shqiptuar mbrëmë nga Gjykata Themelore në Prishtinë kundrejt Dardan Molliqajt. Masën e shqiptuar e vlerësojmë si jo proporcionalë në raport me veprën e dyshuar penale dhe të gjitha rrethanat e këtij rasti, andaj edhe ndaj të njëjtit aktvendim do të parashtrojmë ankesë pranë Gjykatës së Apelit.

Por, ky aktvendim dëshmoi atë që e thamë prej fillimit. Policia arrestimin spektakular në hapësirat e televizionit T7 e ka bërë në mungesë të një urdhërarresti. Për më tepër, Prokuroria ka pranuar një kallëzim penal për këtë vepër një ditë pas arrestimit të tij. Gjithashtu, Gjykata vërtetoi se ftesat e Policisë nuk janë dorëzuar në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale.

Të gjithë këtë veprimtari të orkestruar e të paautorizuar me ligj do ta denoncojmë pranë shumë organizatave që merren me të drejtat e njeriut. Për më tepër, këto shkelje do i adresojmë përmes të gjitha mundësive ligjore që i kemi në dispozicion.

Go to TOP