Prishtinë/ Iu shmang tatimit me vlerë rreth 50 mijë euro, i akuzuari deklarohet i pafajshëm

I akuzuari A.P është deklaruar i pafajshëm për shmangien nga tatimi në vlerë afro 50 mijë euro.

Ai po akuzohet se gjatë periudhës kohore 2012-2013 nuk ka deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) qarkullimin që e ka pasur në kuadër të aktiviteti të tij afarist, ku i është shmangur tatimit në vlerë prej 49 mijë euro e 303 euro.

Një deklarim të tillë, i akuzuari e ka dhënë në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fatmire Cacaj.

Pas deklarimit të të akuzuarit rreth fajësisë, mbrojtësi i tij avokati Bajram Dili deklaroi se e kundërshton në tërësi aktin akuzues pasi që sipas tij, aktakuza ka të meta formale dhe materiale në dispozitiv dhe në arsyetimin e saj.

Dili tha se nuk ekzistojnë elemente e as rrethana për të vërtetuar dyshimin e bazuar mirë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Tutje, avokati Dili deklaroi se prokuroria është bazuar vetëm në kallëzimin penal të paraqitur nga ATK-ja i cili sipas tij, nuk përmban asnjë të vërtet dhe se i mbrojturi i tij ka përmbushur të gjitha obligimet tatimore për subjektin afarist.

Më pas, gjykatësja e rastit Edita Çanta ka njoftuar të akuzuarin se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqes kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Gjykatësja Çanta, po ashtu ka obliguar prokurorinë që brenda afatit ligjor t’i pajisë palët me shkresat të cilat iu mungojnë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në qershor të 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, A.P po akuzohet se në periudhën kohore 2012-2013, në cilësinë e pronarit të subjektit afarist në Prishtinë, me qëllim që ai apo personi tjetër të fshehë apo t’i shmanget, pjesërisht apo tërësisht, pagesës dhe tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj nuk ka deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës qarkullimin që e ka pasur në kuadër të aktivitetit të tij afarist.

Aktakuza thotë se me këtë i pandehuri i është shmangur tatimit në vlerë prej 49,303.15 euro.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Go to TOP