Prishtina shënon Ditën e Çlirimit me nderime për Rugovën, Jasharin dhe praninë e veçantë të Ekrem Bardhës
Me një seancë solemne të Kuvendit Komunal dhe një sërë aktivitetesh, Prishtina shënoi sot me nder dhe krenari 11 Qershorin – Ditën e Çlirimit të kryeqytetit. Kjo ditë historike mbetet përjetësisht simbol i lirisë, dinjitetit dhe fillimit të ri për popullin e Kosovës.
Kryetari i Komunës, Përparim Rama, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e kësaj date duke kujtuar me respekt të thellë dy figura të mëdha të historisë së re të Kosovës: Presidentin Ibrahim Rugova – prijësin e urtë dhe vizionar të rezistencës paqësore, si dhe komandantin legjendar Adem Jashari – flijimi i të cilit vulosi rrugën drejt lirisë.
Në këtë ditë të veçantë, Prishtina u nderua edhe me praninë e z. Ekrem Bardha, një nga zërat më të fuqishëm të diasporës shqiptare, i njohur për kontributin e tij të palëkundur për çështjen kombëtare ndër dekada. Kryetari Rama e vlerësoi praninë e tij si dëshmi të lidhjes së thellë mes Kosovës dhe bijve të saj në mërgatë.
Aktivitetet për nder të 11 Qershorit mblodhën bashkë qytetarë, përfaqësues institucionalë dhe mysafirë të nderuar për të festuar lirinë dhe për të kujtuar sakrificën e brezave që e mundësuan atë.
“Zoti e bekoftë Prishtinën. Zoti e bekoftë Kosovën”, përfundoi Kryetari Rama. /Kosova.info/
