Prindoni shkakton “uragan” reagimesh: Kërkohet shkarkimi i tij

Prindon Sadriu, si shkak i deklaratës së shpalljes së mediave si “Ndërmarrje të përbashkëta kriminale”, ka ngjallur reagime në mesin e shoqërisë civile. Madje, disa prej tyre, kanë kërkuar shkarkimin e tij.

Prindoni, nëpërmjet një postimi në Facebook i quajti mediat “organizatë e përbashkët kriminale”, term ky që përdoret në çdo të dytën fjalë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale në Hagë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në postimin e tij, të cilin tashmë e ka fshirë, i akuzoi gazetarët se i shërbejnë klaneve të caktuara për çka ngjalli reagime të mëdha, duke përfshirë edhe atë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare. Ky i fundit shërben si ushtrues detyre i ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, si dhe rezervist në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Në një letër dërguar kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit si dhe disa organizata tjera ka kërkuar të distancohen nga gjuha nxitëse ndaj gazetarëve.

“Ditët e fundit jemi shqetësuar nga mesazhet në rrjetet sociale me origjinë nga politikanë dhe zyrtarë që kanë shërbyer për të nxitur publikun kundër gazetarëve. Këto përfshijnë, për shembull, komentet në Facebook nga zëdhënësit dhe këshilltarët për media të Zyrës së Kryeministrit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, duke folur në emër të partive që përfaqësojnë, nënkuptuan se media u përpoq të përmbyste dhe minonte Presidenten përmes raportimit. Shqetësuese janë edhe komentet në Facebook të bashkëshortit të Presidentes Prindon Sadriu, i cili i quajti gazetarët një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, një koncept i ngarkuar sidomos në Ballkan”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, ka kërkuar që të ndërmerren masa ndaj Sadriut.

“Prindon Sadriu nuk është vetëm bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, por është edhe diplomat i rangut të lartë, zyrtar shtetëror. Është edhe epror rezervë në FSK. Tash disa ditë ai përdor gjuhë linçuese kundër gazetarëve dhe mediave. Ministria e Jashtme dhe FSK urgjentisht duhet të marrin masa ndaj tij dhe të veprojnë sipas rregullativave ligjore në fuqi. Ai nuk mundet që, në përpjekje për t’i mbuluar bëmat e bashkëshortes, të akuzojë gazetarë e media me fjalor të ulët që mbase mund ta përdor ndonjë militant i frustruar, por kurrsesi një diplomat”, u tha në postimin e tij.

Kërkesë për shkarkim ka bërë edhe gazetari Valon Syla, duke thënë se më as dorëheqja nuk ka kuptim.

“Le ta procedon MPJ, shpejt shkarkimin, pa përjashtime. As dorëheqja s’ka më kuptim. Shkelje gjithandej në procedura, e ti po thu jam baba e bashkëshort, se gazetarët në media s’paskan familje, veç ju Osmanajt e Sadriajt… Hajde leni kopallat. Te shpia…”, thuhet në postimin e tij.

Që ta lirojnë nga detyra Prindonin, ka kërkuar edhe Ish-ambasadori kosovar në Çeki, Arbër Vllahiu, duke thënë për bashkëshortin e presidentes se ka bërë një shkelje të lartë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës është dashtë që menjëherë të reagojë, në bazë të të gjitha rregulloreve të brendshme dhe urdhëresave të brendshme administrative, zotëri Prindon Sadriu do të duhej që menjëherë të merrej në komision disiplinor. Kjo është një shkelje etike e rëndë prej një diplomati, duke marrë parasysh se është edhe shef i Misionit Diplomatik në Shkup dhe si i tillë ka përgjegjësi të plotë mbi atë që thotë. Zotëri Prindoni do të duhej të pezullohej urgjentisht nga detyra e tij”, ka thënë ish-diplomati.

Megjithatë, deklaratën e dhënë nga Prindoni e ka mohuar presidentja Osmani.

“Ai e qartëson shumë mirë, që në asnjë moment nuk i ka quajtur mediat ‘ndërmarrje kriminale’. Mjafton bre ta lexojnë. Mjafton ta lexojnë. Nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale, mjafton ta lexojnë”, deklaroi Osmani në RTK.

Deklarimi i Sadriut sipas Kodit Disiplinor të Forcës së Sigurisë së Kosovës është shkelje e rëndë disiplinore. Sipas nenit 21, të Kodit Disiplinor të Forcës së Sigurisë së Kosovës, paragrafi 2.9, shkelje e rëndë disiplinore konsiderohet edhe shkelja e paanshmërisë politike.

Paragrafi 1, i nenit 21 të Kodit Disiplinor të Forcës së Sigurisë së Kosovës për ata që bëjnë shkelje të rënda disiplinore thotë se shqiptohet njëri nga sanskionet e parapara sipas nenit 16 të po këtij kodi.

Sipas nenit 16 të Kodit Disiplinor të Forcës së Sigurisë të Kosovës, për shkelje të rënda disiplinore shqiptohet vetëm njëra nga këto sanksione disiplinore: 1.1. Largimi nga FSK-ja; 1.2. Transferimi në njësi tjetër; 1.3. Transferim i përkohshëm në njësi tjetër prej gjashtë (6) deri në dymbëdhjetë (12) muaj. Ky sanksion mund të shqiptohet vetëm dy (2) herë brenda pesë (5) vjetëve ndaj pjesëtarit; 1.4. Gjoba në pagë, ku paga mujore mund të zbritet prej 16% deri në 30% në muaj për një periudhë kohore prej tre (3) deri në gjashtë (6) muaj. 2. Gjoba në pagë llogaritet në momentin kur i shqiptohet sanksioni pjesëtarit.

Paanshmëria politike gjithashtu është edhe një nga parimet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas Kodit të Mirësjelljes së pjesëtarëve të FSK-së. Sipas paragrafit 1.3 të nenit 3 mbi Parimet e shërbimit, pjesëtarët e FSK-së gjatë shërbimit janë të obliguar t’i përmbahen paanshmërisë politike.

Gjithashtu, Kodi i Mirësjelljes i FSK-së është i zbatueshëm: “për pjesëtarët aktiv, rezervë, kadetët dhe rekrutët e FSK-së, në shërbim brenda dhe jashtë vendit.”, sipas nenit 2 mbi Fushëveprimin e Kodit të Mirësjelljes.

Edhe sipas ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, nuk lejohet anshmëria politike. Neni 6 i këtij ligji, mbi paanshmërinë politike sipas paragrafit 2 dhe dhe nënparagrafeve 2.1 dhe 2.2 ndalon pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që: 2.1; të jenë anëtarë të partive politike, organizatave ose shoqatave me karakter politik; 2.2; të marrin pjesë në veprimtaritë politike që organizohen prej tyre e as nuk mund të shfaqin shenja të përkrahjes së cilësdo prej tyre.

Deri më tani, as nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e as nga Ministria e Mbrojtjes, nuk kanë bërë kurrfarë reagime për Prindonin.

Go to TOP